Liga e Kombeve/ Rikthehet gjysmëfinalja e Botërorit. Këto janë sfidat që do të luhen sot

Në Kontinentin e Vjetër vazhdojnë ndeshjet eliminatore të Ligës së Kombeve.

Këtë të premte do të vijojnë rregullisht, sipas kalendarit, takimet në Divizionet A, B, C dhe D.

Dueli që tërheq vëmendjen është pa dyshim Kroaci-Angli, takim që përsërit në njëfarë mënyre pikërisht sfidën e fazës gjysmëfinale të Botërorit të fundit, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Zlatko Dalic i eliminoi “Tre Luanët”.

Për shkak të renditjes në Konfederatën e UEFA-s, dy vendet bëjnë pjesë në Nations League, natyrisht në Divizionin A, ku luan gjithashtu edhe kombëtarja e Spanjës.

Dihet, të drejtën për të vazhduar në “final four” e fiton automatikisht vetëm ekipi që mbyll ndeshjet në vendin e parë, prandaj është e kuptueshme që të dy ekipet do të bëjnë çmos për të siguruar 3 pikët nga kjo sfidë, për të shpresuar në një mrekulli të mundshme, pasi “La Furia Roja” kryeson grupin me pikë të plota.

Pavarësisht se Anglia ka një bilanc të përgjithshëm më të mirë, Kroacia ka fituar 3 nga 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre, për më tepër pas këtij dueli vendësit, vetëm tre ditë më pas, do të presin po në Rijeka, Jordaninë, në një takim miqësor, ndërsa Anglia, pa u çlodhur mirë nga ndeshja me skuadrën e drejtuar nga Zlatko Dalic, të hënën e ardhshme do të përballet menjëherë me Spanjën, në Sevilje, në stadiumin “Benito Villamarin”.

Ngjall shumë interes edhe takimi tjetër i vlefshëm për Grupin e Dytë të Divizionit A, Belgjikë – Zvicër, grup ku bën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesja e Islandës.

“Ishullorët” i kanë humbur që të dyja ndeshjet respektive me këto dy përfaqësuese, kështu që Grupi i Dytë kryesohet pikërisht dyshja Zvicër – Belgjikë, madje “Djajtë e Kuq” pozicionohen vetëm në vendin e dytë, për hir të golaverazhit, pas fitores mbresëlënëse 6-0 të kombëtares helvete në St. Gallen në ndeshjen hapëse pikërisht ndaj Islandës.

Takimi do të zhvillohet në Bruksel, në orën 20:45, dhe do të drejtohet nga spanjolli Mateu Lahoz, gjithsesi edhe këtu bëhet fjalë për një duel tepër të fortë, duke patur parasysh që të dy vendet renditen në dhjetëshen e parë të botës, Belgjika në krye, me pikë të barabarta me Francën, ndërsa Zvicra aktualisht pozicionohet në vendin e tetë.

Sidoqoftë sikur të mos mjaftonte rëndësia që mbart ky takim për kreun, përfaqësuesja helvete do të bëjë llogaritë edhe me kalendarin, sepse vetëm tre ditë më vonë “bardhekuqtë” do të masin forcat në Reykjavik me Islandën.

Po për Ligën e Kombeve në Divizionin C, në Grupin e Dytë Greqia do të presë në të njëjtën orë në Stadiumin Olimpik të Athinës, Hungarinë.

Dy përfaqësueset ritakohen pas vetëm një muaji, sepse në shtator, në Budapest, ndonëse luajti në një stadium të zbrazët, kombëtarja maxhare arriti ta fitonte takimin me rezultatin 2-1.

Në këtë grup për momentin kryeson Finlanda me pikë të plota pas dy ndeshjeve, ndërsa Hungaria dhe Greqia ndjekin nga prapa, në kuotën e 3 pikëve.