VIDEO / Mbape në stol, por pastaj shpëton Kampionët e Botës nga turpi

Franca mund të ketë një problem të vogël: ka filluar të krijojë varësi ndaj Kilian Mbape. Futbollisti filloi miqësoren e sotme ndaj Islandës nga stoli por më pas hyri në fushë dhe ndihmoi skuadrën të shkonte nga 0-2 në 2-2 në 5 minutat e fundit të takimit.

Ndonëse me pjesën më të madhe të protagonistëve të Botërorit në fushë, por me Mbape spektator, Franca nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës përballë islandezëve. Këta të fundit u treguan cinikë dhe gjetën fillimisht avantazhin me Bjarnason, rezultat të cilin e mbrojtën me fanatizëm në pjesën e parë përballë furisë së vendasve që kishin 73% mbajtje topi në këtë fraksion loje.

Në pjesën e dytë, pritej goli i Francës por erdhi përsëri ai i Islandës me Arnason, që detyroi Deshamp të bënte ndryshime në rreshtim. Në fushë hyri Mbape dhe me të, Franca u duke shumë më kërkuese e konkrete. Kësisoj, falë një aksioni të francezit erdhi autogoli i Ejolfson, para se numri 10 të shënonte barazimin me penallti pikërisht në minutën e fundit të sfidës për të çuar në 14 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje të skuadrës së Deshamp.