Rrëfimi shokues i Tevez: Jetoja mes drogës dhe armëve, sot ka njerëz që vdesin nga uria

Në një intervistë për gazetën “El Clarin”, Carlos Tevez u rikthye të flasë për fëmijërinë e tij të vështirë, si dhe për faktin se tani pothuajse nuk sheh fare futboll në televizor.

FËMIJËRIA – “Ishte e vështirë. Në zonën ku jetoja unë, kishte drogë, armë dhe grabitje. Gjithsesi, luanim futboll dhe ishim fëmijë të lumtur, e kaq na mjaftonte. Aty ende ka shumë njerëz që po vdesin nga uria, ndërsa vetëm flitet dhe nuk bëhet asgjë për atë vend”.

FUTBOLLI – “Thuajse nuk shoh fare, nuk më pëlqen futbolli. Nëse po luan Barcelona me Real Madridin dhe ka një turne në një kanal tjetër, unë shoh golf. Nuk kam qenë kurrë një tifoz i futbollit, më pëlqen të luaj, të kem topin midis këmbëve të mia, vetëm kaq”.

SERIAL PËR JETËN – “Me prodhimin e këtij seriali, vendosëm të tregojmë historinë time siç është. Nuk do të mungojë asgjë. Nga dita që mora shenjën në fytyrë, deri tek debutimi me Boca Juniorsin”.