SYRI.net publikon alibinë që do të nxjerrë Fuga&Xhafaj, për të përgënjeshtruar Alizotin

Ju kujtohet Taulant Balla çfarë tha pas dëshmisë së Nënkomisar Emilano Nuhut, i cili rrëfeu se kreu i grupit parlamentar të PS ka qenë në zyrën e tij më 21 Korrik, kur i vëllai i deputetit Rrahman Rrahja e kërcënoi me pistoletë në kokë, për të mbyllur historinë e Xhisela Malokut?

‘Atë ditë kam qenë me angazhime publike’, - tha i kudondodhuri i Ramës, ku krimi përzihet hapur me Rilindjen.

Pastaj për të mbrojtur alibinë e tij të parë që fuste ujë gjithandej u zhyt thellë e më thellë, kur njëherë deklaronte se ishte në Pogradec për peshkim me vëllanë e kryetarit të Forumit Rinor të PS, Turian Hyskën, e më pas se po inspektonte ca kanale vaditëse me kryetarin e bashkisë Elbasan, Qazim Sejdinin!

Sot në të njëjtën mënyrë qesharake dhe të qepur keq, ministri Xhafaj dhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu po ngrenë alibinë, për rolin që ai ka luajtur në përpunimin e dëshmitarit ‘kyç’ të prokurorisë për çështjen ‘Babale’.

 Ardi Veliu duhet të tregojë vendndodhjen dhe veprimet e tij darkën e datës 1 Qershor të këtij viti, kur sipas video-përgjimit të Fredi Alizotit, del se ka shkuar në Vlorë me makinën e tij dhe më pas e ka çuar personalisht në prokurorinë e krimeve të rënda në Tiranë, duke e shantazhuar që të përgënjeshtrojë video-përgjimin, ku vëllai i ministrit të Brendshëm del si një trafikant aktiv droge.

Vetë Veliu, nëpërmjet një reagimi për mediat dhe më pas njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thonë, se ai atë ditë ka qenë ‘me angazhime të tjera’.

‘Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë  e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera’, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Njësoj si Taulant Balla edhe Ardi Veliu një ditë pas video-përgjimit të Alizotit, bën sikur vuan nga amnezia. Nuk na thotë, se cilat kanë qenë këto ‘angazhime’, më datën 1 Qershor të këtij viti.

Derisa të gërmojnë dhe të nxjerrin ‘faktin’, përgënjeshtrues, SYRI.net po e boton më herët, atë që kanë ndërmend të shpallin publikisht si alibi.

Është e vërtetë se drejtori i Përgjithshëm i Policisë, më datë 1 Qershor ka pasur një aktivitet në Tiranë, por ai ka qenë në orët e paradites së datës 1 Qershor 2018.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë ( shih foton) në atë ditë, Veliu ka marrë pjesë në një ceremoni të Europol, ku ambasadorja gjermane në Tiranë ju ka dhuruar forcave ‘Anti Skifter’, dy automjete si ndihmë e qeverisë që përfaqëson.

Pra është e vërtetuar se paraditen e 1 Qershorit, Veliu ka qenë në Tiranë dhe për këtë ka edhe dëshmitarë të rëndësishëm si ambasadorja gjermane, por edhe pamje filmike. Prandaj edhe në njoftimin e sotëm zyrtar thonë, se ‘është lehtësisht e verifikueshme’ vendndodhja e Veliut atë ditë.

Por problemi qëndron, se kaq është i gjithë ‘aktiviteti dhe angazhimi publik’ i verifikueshëm ‘lehtë’ i Veliut atë ditë, e cila përkon me dëshminë e Fredi Alizotit e shfaqur mbrëmë në ‘Opinion’.

Në rrëfimin e ‘dëshmitarit kyç’ të prokurorisë dhe Edi Ramës, i cili vërtetoka, se Agron-Geron Xhafa nuk është ai që flet me Babalen kuptohet qartë, se drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ka shkuar në Vlorë mbrëmjen e datës 1 Qershor. Alizoti madje jep edhe detaje; orën që është 20-20:15 e darkës; makinën MB ngjyrë e zezë etj.

Pra Ardi Veliu ka qenë në Vlorë të paktën 10 orë pas mbylljes së aktivitetit me ambasadoren gjermane, fakt ky  që po bëhet gati të publikohet si alibi. Grupi madh i punës me në krye Fatmir Xhafën dhe Endri Fugën, i cili është mbledhur për të bërë filmin e radhës për të përgënjeshtruar dhe sfumuar videon skandaloze që publikoi mbrëmë deputeti Ervin Salianji, pasi të lexojë këtë shkrim bën mirë të përpilojnë një alibi tjetër, por më të besueshme se ajo e Ballës.

Nëse këtë të fundit e çuan për peshk me Turian Hyskën në Pogradec, Ardi Veliun le ‘ta çojnë’ te mjeku psikiatër ku për hir të së vërtetës shkon shpesh…