Panucci flet para ndeshjes me Jordaninë: Pres fitoren... Mos na bezdisni, ja si do zgjidhet kapiteni

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci doli sot në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes miqësore me Jordaninë, e cila do të luhet nesër në mbrëmje, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në një deklaratë për mediat, tekniku italian foli për gjendjen e grupit, lojtarët që nuk ka thirrur, por edhe tema të tjera të nxehta te Shqipëria.

Janë grumbulluar disa lojtarë që kanë pak minuta në këmbë. A është Jordania një shans i mirë për të parë gjendjen e tyre?


Lojtarë si Grezda, Mavraj, Binaku dhe ndonjë tjetër, kanë luajtur pak këto kohë dhe nesër duhet të luajnë, për të parë më mirë formën e tyre, por edhe për të fituar më shumë minuta në prag të ndeshjes me Izraelin. Grupi ka punuar mirë, është shpirti i duhur për të bërë një ndeshje të mirë nesër. Pres që djemtë të bëjnë një ndeshje të mirë, sepse në fund të fundit luan Kombëtarja.

Jordania, sepse vjen nga i njëjti vend me Izraelin, apo zgjedhje rastësore?


Ka qenë një zgjedhje duke parë radhitjen e Jordanisë në klasifikim. Është disi e vërtetë, pasi si skuadra kanë disa ngjashmëri.

Gega ka thënë që Trashi meriton Kombëtaren, por ju keni thirrur lojtarë që nuk dihet se ku luajnë…


Ka shumë futbollistë të rinj që meritojnë Kombëtaren. Kam qenë i hapur ndaj të rinjve dhe i kam mbledhur, si Vrioni për shembull. Portat janë të hapura për këdo.

Besir Demiri ka qenë nga më të mirët javët e fundit në Ukrainë, por nuk është thirrur…


Nuk është thirrur, pasi kohët e fundit Lenjani ka bërë mirë dhe ka më shumë eksperiencë se Demiri. Ne nuk jemi një grup i mbyllur dhe Demiri do jetë gjithmonë në vështrimin tonë. Ai është pjesë e Kombëtares tashmë.

Pas Skocisë, thatë që kjo skuadër kaq limite ka. Vijoni t’i qëndroni këtij mendimi?


Nëse skuadra jonë shkon në Skoci dhe ka disa mungesa, si Roshi, Grezda, Sadiku e të tjerë, normale që limitet ulen. Por, nuk do të thotë që kaq janë limitet. Nëse do kishim më shumë lojtarë, do ishte më e plotë skuadra. Nuk është ofenduese, se ka limite në këtë rast. Kroacia u mund me 6 gola në Spanjë.

Hysaj pas Skocisë tha se skemën që përdorëm në pjesën e dytë, nuk e kishim aplikuar kurrë në stërvitje…


Për një lojtar që luan në Champions League si Hysaj, nuk mendoj se një modifikim me tre mbrojtës do ndryshonte diçka të madhe. Nuk është problem skeme, është një veçanti që ndodh në lojë.

Çështja e kapitenit…

Meqë u bë një çështje e madhe, problem kombëtar fola me presidentin, fola me grupin, dhe vendimi është mirë që të merret me të gjithë. Mos filloni të merrni lojtarët në telefon për të vendosur kapitenin. Grupi zgjedh një kapiten dhe dy zëvendës kapitenë. Grupi voton dhe vendos kë dëshiron si kapiten. Është e rëndësishme se kë ata ndjejnë. Unë i dhashë këtë mundësi dhe këtë zgjidhje. Ishin të kënaqur për diçka të tillë, që ta zgjidhnin vetë. Kjo nuk do të thotë që kapiteni do luajë gjithmonë (qesh). Kjo është ajo që u them, mos i merrni lojtarët në telefon, sepse do e zgjedhin vetë.