I zhgënjyer nga humbjet, Gjici ‘ultimatum’ Kukësit: Dua tri fitore, ndryshe ju pret…

Dy humbje radhazi kanë “trazuar” jo pak kampin verilindor.

Edhe pse skuadra ka grumbulluar 13 pikë në 8 ndeshje kampionat, ajo që djeg më shumë është fakti që i janë larguar kreut dhe kanë humbur me dy rivalë direkt për titullin, Skënderbeun dhe Partizanin.

Kukësi tashmë duhet të hartojë një tjetër strategji për të dalë nga kjo situatë dhe planin e ka të qartë vetë Safet Gjici.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti së pari u shpreh i zhgënjyer nga ekipi e stafi, megjithatë evidenton se humbja ndaj Partizanit do të jetë fundi për një fillim të ri. “Jam shumë i zhgënjyer me të gjithë ekipin, e me stafin. Kanë dy ndeshje radhazi dhe sidomos në pjesët e dyta luajnë mirë, por nuk shënojnë”. Kjo disfatë do analizohet me detaje, e nuk do falet më. Vetë kreu i klubit e ka theksuar shpeshherë se përkushtimi i tij për ekipin është i madh e atyre nuk iu ka munguar asgjë, por tashmë duket se dhe këto nuk mjaftojnë.

Zgjidhja? Gjici do kthesën, në të kundërt masat do të jenë të pashmangshme. “Nëse ekipi nuk reagon duke bërë 3 fitore rresht, atëherë do reagoj unë. Më shumë nuk flas”, tha “bosi” i verilindorëve.

Kukësi e nisi jo mirë kampionatin duke barazuar me Laçin në start dhe humbur në Vlorë, e megjithatë ekipi u “zgjua” duke korrur 4 fitore radhazi e marrë vendin e parë. Por mbas dy humbjeve të fundit, verilindorëve do iu duhet t’ia nisin dhe një herë nga aty ku e lanë.