ILO: Shqipëria përkeqësim në mbrojtjen sociale për të moshuarit

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) raportoi se Shqipëria është mes vendeve që ndër vite ka përkeqësuar mbrojtjen sociale për të moshuarit. Në një raport të publikuar ditëve të fundit nën titullin “Mbrojtja sociale për personat më të moshuar: trendet në politikat kyçe dhe statistikat 2017-2019” vendi ynë renditet mes atyre që në raport me të kaluarën kanë bërë hapa pas.

“Ndërkohë që 68 për qind e personave në moshë përreth globit marrin një pension, niveli i përfitimit mbetet i papërshtatshëm” thekson raporti i ILO duke ju referuar zhvillimeve të përgjithshme globale.

I njëjti raport thekson se pavarësisht përpjekjeve të bëra kudo në botë për të zgjeruar mbulimin jo të gjitha vendet ia kanë dalë me sukses.

“Shqipëria, Azerbajxhani dhe Greqia për shembull, vende që më parë kanë arritur nivele mbulimi afër 90 për qind ose më lart në vitin 2000 kanë vuajtur rënie që nga ajo kohë me nivele mbulimi 12-16 për qind”, thuhet në raport.

I njëjti dokument analizon se Shqipëria garanton në politiken e saj të mbrojtjes së të moshuarve edhe një pension social që përfitohet në moshën 70-vjeçare për ata që nuk kanë vite sigurimi. Por nëse i hedhim një sy tabelës krahasuese me shumicën e vendeve pensioni social nis nga mosha 60 vjeç me një dominancë të atyre vendeve që e japin në 65 vjeç e sipër dhe më pak ato vende që këtë mbrojtje e nisin tek të 70-at e individit.

Pensioni social i vendosur në 2015-ën që ka një vlerë 7 mijë lekë në Shqipëri është sa 30.7 për qind e pagës minimale referuar përllogaritjeve të ILO.  Edhe në këtë raport niveli është shumë më i ulët se vende të tjera si për shembull Estonia që e ka sa 38.9 për qind e pagës minimale, Greqia sa 34.6 për qind apo Kosova sa 44 për qind e pagës bazë.

Gjithsesi, sipas ILO-s, specifikat e mbrojtjes sociale variojnë nga njëri vend në tjetrin dhe nuk mund të bëhet një unifikim i tyre. Për shembull në skemën shqiptare gjen elementë të kombinuar ku përveç atyre që përfitojnë mbrojtje pasi kanë mbushur moshën e pensionit që cakton ligji, ka edhe veteranë lufte, persona me status të veçantë apo skema suplementare. Marrë nga Monitor