Senati në SHBA voton pro Kavanaugh në Gjykatën e Lartë

Senati amerikan ka konfirmuar propozimin e Presidenit Donald Trump për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh.

Senati e votoi Kavanaugh me 50 vota pro dhe 48 kundër.

Kavanaugh ka qenë një nominim shumë i kundërshtuar në SHBA pasi e kanë akuzuar si të përfshirë në një skandal ngacmimi seksual në rini, por që këto akuza nuk e penguan senatin të pranonte propozimin e Tump.

Pas këtij konfirmimi, pozicioni i tij në panelin prej 9 anëtarësh tashmë është i përjetshëm.

Përpara votimit përfundimtar, senatorët mbajtën të premten një votim procedural, për t’i dhënë fund debatit të ashpër që ka përshkuar procesin e konfirmimit të gjyqtarit Kavanaugh në Senat.

Votimi i së premtes rezultoi me 51 vota pro dhe 49 kundër, duke e avancuar konfirmimin në Senatin e plotë.

Madje për Kavanaugh pati një përplasje midis Trump dhe Soros, për këtë të fundit të akuzuar se pagoi njerëz për të folur keq për të.

Gjykata e Lartë shihet si një institucion mjaft i respektuar në SHBA dhe me rëndësi të madhe kombëtare pasi ajo merr vendime në interpretim të Kushtetutës që mund të kenë ndikime për një brez të tërë amerikanësh.