Maja nga Serbia kontrollon me radarë Kosovën dhe Shqipërinë, sipas Haradinajt, më e debatueshmja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i mbështet deklaratat e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, se pika më kontestuese gjatë demarkacionit me Serbinë mund të jetë Maja e Pançiqit, në malet e Kopaonikut, në territorin e komunës së Leposaviqit.

Në këtë me lartësi prej 2 mijë e 17 metrash mbi nivelin e detit, Serbia e ka riaktivizuar qendrën e radarëve, nga ku e kontrollon gjithë hapësirën ajrore të Serbisë, të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Kjo qendër e radarëve ishte objektivi i parë sulmeve ajrore të NATO-s, por ajo u riaktivizuar së voni me leje të Aleancës. I pyetur se a lidhet kjo pikë problematike me radarët e vendosur atje, Haradinaj ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë, por ka shprehur besim të plotë në punën e Bulliqit dhe ekipit të tij.

“Mos të spekuloj, Shpejtimi dhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit janë më kompetent. Ata kanë bërë përgatitje të mëdha që të jenë mirë të përgatitur që të shënjohet kufiri. I besoj kryesuesit të komisionit, profesorit Bulliqi”, ka deklaruar Haradinaj për Ekonomia Online.

Komisioni Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, në kuadër të përgatitjeve për demarkacionin me Serbinë, ka nisur grumbullimin e materialeve për kufirin aktual që Kosova ka me shtetin serb. Ai është duke grumbulluar materiale historike, gjeografike, kadastrale e të tjera, si edhe harta të ndryshme që pasqyrojnë vijën e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ishte kufi administrativ.

Komisioni po e bën këtë punë edhepse Presidenti Hashim Thaçi po angazhohet për “korrigjim” të kufirit me Serbinë.

Haradinaj është kundërshtari më i madh i idesë së Thaçit për “korrigjim” të kufirit. Ai e ka kundërshtuar Thaçin edhe të premten, në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve në Marinë të Skënderajt.

Kryeministri është shprehur se detyrë e komisionit të udhëhequr nga Bulliqi është edhe korrigjimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka treguar se kur do të nisë ky proces.

“Komisioni shtetëror e ka detyrë të përhershme shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit dhe pas përgatitjeve që janë bërë për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, pra marrëveshja se nuk korrigjohet kufiri, por marrëveshja realisht sepse ajo ka qenë gabim”, ka thënë Haradinaj..