Qeveria ul taksat për ministrat, oligarkët dhe deputetët

Paketa e re e taksave parashikon disa ndërhyrje në sistemin fiskal gjatë vitit të ardhshëm dhe thuajse të gjitha favorizojnë një numër të vogël shqiptarësh, më të pasurit e vendit.

Drafti i zbuluar nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj do të ulë taksat për aksionerët e korporatave të mëdha si dhe rrogat e larta, ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë dhe të varfrit do të vazhdojnë të paguajnë një barrë të rëndë taksash.

Sipas planit të qeverisë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Tatimi mbi Dividentin do të përgjysmohet, nga 15 për qind që është aktualisht në 8 për qind.

Në numrin e madh të taksave që ekzistojnë në një vend, tatimi mbi dividentin është ai që shënjestron më mirë njerëzit më të pasur.

Ky tatim, paguhet nga aksionerët e korporatave dhe pronarët e kompanive të mëdha në momentin që ata tërheqin fitimet nga biznesi i tyre. Por për vitin e ardhshëm qeveria ka që bosët e koorporatave të mëdha t’i qerasë me përgjysmim taksash, duke i bërë ata kështu përfituesit më të mëdhenj të paketës fiskale 2019. 

Veç dividentit, lëvizja e dytë në sistemin fiskal, është rritja e fashës së pagave, ku fillon taksa 23 për qind.

Aktualisht pagat në Shqipëri taksohen sipas një sistemi progresiv. Për fashën nga 0-30 mijë lekë, taksa është zero. Për fashën e pagave nga 30-130 mijë lekë taksa është 13 për qind, ndërsa për fashën mbi 130 mijë lekë ajo është 23 për qind.

Qeveria ka vendosur që vitin e ardhshëm, kufiri mbi të cilin fillon tatimi 23 për qind të mos jetë më niveli 130 mijë lekë i pagës, por ai 150 mijë lekë. Kjo lëvizje ul barrën fiskale për 15 mijë rrogtarë të niveleve të larta, përfshirë 140 deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, por edhe ministrat e qeverisë.

Për pjesën tjetër të shoqërisë, ata me rroga nën 130 mijë lekë në muaj, pra shtresën më të varfër të popullsisë, taksat mbeten të pandryshuara.

Kromi, dhe autobusat elektrike

Dy ndërhyrjet e tjera kryesore në fushën e taksave i adresohen bizneseve të veçanta. Sipas planit të qeverisë, nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, renta minerare që paguhet për eksportin e kromit të papërpunuar do të rritet nga 6 për qind që është aktualisht në 9 për qind.

Kjo lëvizje synon të favorizojë përpunimin e kromit në vend dhe përfituesi i kësaj mase është e vetmja kompani që përpunon kromin në Shqipëri.

Veç rritjes se rentës taksat e tjera që ndryshojnë janë përgjysmimi i TVSH-së për importin e autobusëve elektrike nga 20 për qind në 10 për qind, si dhe heqja e TVSH për lëndët e para që përdoren në prodhimin e ilaçeve.

Qeveria nuk bëri publike se sa do të jetë efekti financiar i paketës së re fiskale duke thënë se ky efekt është duke u detajuar. Por një gjë është e qartë. Paketa e re fiskale ul taksat vetëm për oligarkët dhe ata me rroga të larta, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve, përfshirë më të varfrit do të vazhdojnë të paguajnë njësoj.