VIDEOMESAZH/ Basha: U dyfishua numri i bizneseve të mbyllura, me Edi Ramën çdo vit më keq

Me një videomesazh, Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka vënë në dukje sërish gjendjen e vështirë që po kalojnë bizneset, pasi vëmendja e kryeministrit, Edi Ramës, është tek krimi dhe oligarkët.

“Me Edi Ramën në qeveri, krimi dhe oligarkët pasurohen, biznesi i zakonshëm po falimenton”,- thuhet në videomesazh.

Sipas shifrave të publikuar, vetëm në shtator janë mbyllur 1978 biznese nga 838 që u mbyllën një vit më parë.

“Me Edi Ramën në qeveri, çdo vit është më keq për shumicën e bizneseve”,- thuhet në videomesazhin, që ilustron me grafik edhe periudhat 9 mujore 2017-2018. Krahasimi me vitin e kaluar tregon se falimentimi i bizneseve është  gati dyfishuar. Nga 6969 biznese të mbyllura në periudhën gusht-shtator 2017, këtë vit për 9 muaj rezultojnë të mbyllur 11 292 biznese.

Kreu i opozitës në përfundim jep mesazhin se sa më gjatë të qeverisë Edi Rama, aq më shumë biznese do të mbyllen.