Rreziku i blerjes së T-Mobile nga Albtelecom

Duopoli Vodafone Albtelecom kërcënim për konkurrencën në treg

Pak ditë më parë aksionerët e kompanisë Telekom Albania vendosën të lënë tregun shqiptar duke nxjerrë në shitje paketën e kapitalit aksioner.

Menjëherë pas këtij lajmi dy kompani me origjinë respective nga Bullgaria dhe Serbia u futën në garë për të marrë aksionet e Telekom Albania.

Më pas u duk se ‘Telekom Serbia’ ishte favorit në blerjen e Telekom Albania pas ofertës që propozoi prej 60 milion eurosh.

Por burime të brendshme kanë bërë të ditur se drejtuesit e ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë serbe

i kanë shprehur atyre faktin se futja në tregun e telefonisë celulare mund të rezultojë problematike edhe për vet Telekom Serbia për shkak të ngjyrimeve politike që mund të marrë. Edhe pse oferta ishte e konsiderueshme dhe do të siguronte futje të kapitalit të ri në vend ajo u pa si një kërcënim i sigurisë së brendshme të vendit.

Nga ana tjetër shitja e Telekom Albania duhet të ndodhë. Me refuzimin e hyrjes së kompanisë serbe në treg, ofruesi i radhës pritet të jetë Alb Telecom sh.a, ndër kompanitë më të vjetra të Shqipërisë e që sot zotërohet nga aksionerë e drejtorë nga Turqia.

Blerja e mundshme e Telekom Albania nga Alb Telecom mund të shihet si një hap prapa për vendin duke qenë se tregu do të të jetë akoma më i përqendruar dhe mungesa e konkurrencës mund të sjellë rritje të tarifave.

Kur Plus Communication hyri në tregun e telekomunikacionit në viti 2009, rritja e konkurrencës u pasqyrua në uljen e fitimeve të dy kompanive ekzistuese.

Tashmë që Plus doli nga tregu për shkak të mosrealizimit të fitimit, tregu ka qenë më i prekshëm ndaj vendimeve oligopoliste abuzuese me konsumatorët.

Përshembull në tregun celular në dy vitet e fundit janë vërejtur disa praktika që kanë dëmtuar interesin e konsumatorit. Ndër këto ndryshime janë dhe ndryshimet e aplikuara nga Albtelecom, Telekom Albania dhe Vodafone Albania në Mars 2016 duke reduktuar afatin e përdorimit të ofertave mujore nga 30 ditë në 28 ditë.

Autoriteti i komunikimeve elektronike dhe postare (AKEP) po bashkëpunon edhe me AK dhe me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit, pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, dhe qëndrimi zyrtar i AKEP për këtë çështje është që operatorët duhet të rikthejnë kohëzgjatjen mujore (30 ditore) të vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim 28 ditore.

Pjesa e tregut të kompanisë Telekom Albania përsa i përket përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare për vitin 2017 zë 34% të totalit, ndërsa pjesa e Alb Telecom është 13%. Bashkimi i mundshëm i këtyre dy kompanive, teorikisht, do të bëjë që Alb Telecom të zotërojë 48% të tregut dhe me mungesën e Plus Communication kjo pjesë mund të jetë edhe më e madhe.

Kështu Shqipëria do të kthehet plot 15 vite prapa ku në treg operonin vetëm 2 kompani, e të cilat formonin duopolin në tregun e telekomunikimit. Nëse autoritetet kanë konstatuar praktika që dëmtojnë konsumatorin edhe në kohën kur tregu përbëhej nga 4 kompani, atëherë ?farë mund të pritet të ndodhë me interesat e konsumatorit, tani që tregu do të zvogëlohet sërish.

Në teorinë ekonomike, duopoli është një treg i dominuar tërësisht nga dy kompani që ndajnë pjesë të barabartë të tregut dhe marrin vendime mbi prodhimin dhe politikën e ?mimeve të përbashkëta duke shmangur konkurrencën mes njëri tjetrit dhe duke përfituar nga pozicioni i ofruesit të vetëm për të abuzuar me të drejtat e konsumatorëve.

Abuzimet kanë qenë të pranishme pothuajse gjithmonë. Së fundmi gjoba e akorduar nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj Vodafone dhe Telekom Albania për shkelje të konkurrencës dëshmon se këto praktika janë pjesë organike e strategjive të kompanive që ofrojnë shërbime të telekomunikacionit. Këto kompani kanë refuzuar të japin detaje mbi vendosjen e tarifave e për këtë arsye janë bërë subjekt i gjobave.

Me përthithjen e mundshme të Telekom Albania nga Alb Telecom, kjo e fundit do të operojë së bashku me Vodafone duke sjellë sërish të njëjtën gjëndje të tregut si 15 vite më pare. Oferta e refuzuar nga Serbia, ishte më eficente ekonomikisht, duke qenë se konkurrenca do të ishte më e madhe dhe mundësitë për abuzime do të reduktoheshin.

Megjithatë kur çështja u shqyrtua në dimensionin politik, atëherë u konstatua e rrezikshme për sigurinë kombëtare, zotërimi i një prej kompanive më të mëdha nga serbët. Nga ana tjetër, Turqia vazhdon dominimin ekonomik të Shqipërisë.

Me zotërimin e bankës më të madhe, kompanisë ajrore, kompanisë së telefonisë fikse dhe së shpejti edhe me zotërimin e kompanisë së telefonisë celulare, Turqia do të zotërojë pikat kyçe të ekonomisë, duke rritur dominimin e ish perandorisë osmane në Shqipëri, me synim përhapjen e saj në Ballkan.

Kështu ky problem merr edhe një dimension politik. Por ajo që mbetet kryesore është kërcënimi i konkurrencës në tregun e telefonisë celulare.

Institucionet si Autoriteti i konkurrencës duhet të ekzaminojnë këtë mundësi si shkelëse e konkurrencës dhe dëmtuese të interesave të konsumatorëve përpara se të merret një vendim final. Interesi i publikut është mbizotërimi i konkurrencës e cila do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe do të ulë ndjeshmërisht çmimet.

Nga ana tjetër përqendrimi i tregut në vetëm dy kompani duhet të shihet si dëmtues i interesave të konsumatorëve dhe duhet të parandalohet nga institucionet ashtu si? u parandalua mundësia e hyrjes në treg të një kompanie serbe.

Albania Enterprise Institute