Probleme te Bayerni/ Ylli i ekipit drejt largimit, shkak bëhet trajneri Kovac

Ishte një nga lojtarët më të mirë në ndeshjet e fundit me Bayernin, aq sa shumë tifozë kishin krijuar idenë se James Rodriguez do të ishte një as nën mëngë për të arritur te suksesi në Champions për bavarezët, të cilët ëndërrojnë trofeun që i mungon nga sezoni 2012.

Por, kolumbiani çuditërisht është lënë në stol nga trajneri Niko Kovac, që nuk ka preferuar ta nisë ndeshjen me ish-yllin e Realit të Madridit.

Pas ndeshjes ndaj Ajaksit, ai është parë të largohet 10 minuta para se të nisej autobusi i skuadrës. Shkak për këtë është bërë mosaktivizimi nga minuta e parë.

James Rodriguez ka refuzuar të japë edhe deklarata për gazetarët lokalë që e prisnin jashtë stadiumit.  

Ndërkohë që mesfushori ishte pranë rikthimit tek ish-skuadra e tij, Realit të Madridit, ishte trajneri Kovac që nuk lejoi kolumbianin t’u bashkohet galaktikëve.

Me largimin e trajnerit francez, Zinedin Zidane, nga kryeqyteti spanjoll, Rodriguez po konsideronte faktin që të luante sërish me skuadrën që e bëri të famshëm në Europë.

Por është pikërisht trajneri Kovac ai që “preu në besë” lojtarin, duke e mbajtur dhe nuk e aktivizuar rregullisht.

Merkato e janarit është ende larg, por vjen shumë shpejt dhe nëse skuadra bavareze dhe drejtuesit e saj nuk gjejnë një zgjidhje të shpejtë, atëherë kalimi në Madrid do të ishte lëvizja më e logjikshme e mesfushorit kolumbian.