‘Xhisiela’, Presidenti flet për herë të parë: Prokuroria dhe policia të jenë të paanshme

Presidenti Ilir Meta, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ka folur për herë të parë për dëshminë e oficerit të policisë Nuhu si dhe historinë tronditëse të dhunës ndaj Xhisiela Malokut.

Kreu i shtetit tha se  “Drejtuesit e prokurorisë dhe të policisë duhet të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, në mënyrë të paanshme në mënyrë që të vendosin besimin e publikut.”

Ai tha se kishte ngritur një ekip me këshilltarët e tij për shqyrtimin e kësaj ngjarje.

Ja deklarimi i plotë i Presidentit Meta

Jam shprehur qartë që përsa kohë do jem në këtë pozicion nuk do të amnistoj asnjë përson që ushtron dhunë në familje.

Është një cështje për të cilën kam marrë një letër që i drejtohej edhe Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe kryeprokurores, nga oficeri Nuhu.

Këtë cështje po e ndjek ekipi im i këshilltarëve që drejtohet nga z. Bahri Shaqiri.

Është për të ardhur keq që ka një polarizim të kësaj cështje.

Drejtuesit e prokurorisë dhe të policisë duhet të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, në mënyrë të paanshme në mënyrë që të vendosin besimin e publikut.

Po kështu dhe shoqëria civile, shoqatat e specializuara, të jenë të bashkuara për ndricimin e kësaj ngjarje, në interes të vërtetës. Në të kundërt do të kemi dhe raste të tjera.