Gega harron derbin ndaj Tiranës: Të luajmë mirë dhe të mposhtim Teutën

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka lënë pas fitoren në derbi dhe po mendon për duelin ndaj Teutës.

Pritshmëritë në kampin e kuq janë rritur shumë pas triumfit me Tiranën, por Gega synon ta largojë sa më shumë presionin

Ndaj Teutës do të jetë i njëjti Partizan si në derbi?

Është një ndeshje tjetër. Edhe pse, fitorja në derbi po 3 pikë na ka dhënë. Për fat të mirë, e kaluam me sukses, tani kemi një ndeshje të radhës, që duhet ta marrim po kaq seriozisht. Do mundohemi me të gjitha forcat, të japim të njëjtën performancë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.

I druheni euforisë në këtë moment shumë pozitiv?

Ne nuk kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht detyrën. Pastaj, sa pikë marrim, është diçka tjetër. Jam i kënaqur që ekipi po rritet. Nuk kemi hapësira për eufori. Është vetëm ndeshja e gjashtë.

Cili është sekreti i mbrojtjes, Partizani ka pësuar vetëm një gol?

Është një punë në grup, kolektive. Jemi me fat që kemi portierin më të mirë në Superiore. Është profesionist brenda e jashtë fushe. Bashkë edhe me ndihmën e ekipit. Jemi munduar edhe të sulmojnë, nuk kemi ndenjur vetëm në mbrojtje. Nuk jap garanci se nuk do pësojmë më gol, por mënyra se si luajmë, do jemi po aq të kujdesshëm.

Teuta është ekipi i vetëm që ka mundur Skënderbeun…

Skënderbeu shkarkoi gjithçka që kishte kundër nesh. Ata dhanë maksimumin, krejt normale. Fati ishte me ta. E pashë takimin e Teutës ndaj Skënderbeut. Bëri një ndeshje shumë të mirë. Kanë një ekip të mirë, grup që luan mirë futboll. Do të jemi gati të përgjigjemi në fushë.

Historia ka treguar që Partizani kur fiton një derbi, çalon në ndeshjen pasardhëse…

Shpresoj ta prishim syrin e keq, të mos vazhdojmë me këtë traditë. Kjo gjë duhet të korrigjohet. Kemi folur edhe me lojtarët për këtë gjë. Lojtarët e kanë shprehur këtë shqetësim. Është e pashmangshme, edhe presioni pozitiv. Kam jetuar disa orë me fitoren në derbi. Megjithatë, e njoh punën time, na pret një sfidë e vështirë.

Si po punoni për të finalizuar më shumë?

Edhe fitorja minimale quhet fitore. Njerëzit më pas, kanë dëshira për shumë gola, kjo është normale. Për çdo trajner do ishte mirë të finalizohej sa më shumë. Jam i kënaqur, pasi loja në grup, në sulm, është mbështetur nga lojtarë që nuk janë tipik sulmues. Kjo më bën optimist, pasi të gjithë mundohen të bëjnë të dyja fazat e lojës. 3 pikët na japin qetësi, dhe na mban në grupin e pretendentëve.

Çfarë i duhet Partizanit psikologjikisht për të fituar titullin?

E kam thënë, 99% e lojtarëve nuk kanë lidhje me “thatësirën” 25-vjeçare Partizanit pa fituar titull. Duhet të krijojmë historinë tonë, pa u shkëputur nga e kaluara. Nuk jemi ndeshur ende me të gjitha ekipet. Të shpresojmë të vazhdojmë kështu. Nuk është garanci që çdo ndeshje do ketë të njëjtën fytyrë.