Kokëdhima: Vendimi i qeverisë Rama për makinat e përdorura është antipopullor!

Kryetari i partisë “Zgjidhja” është deklaruar kundër vendimit të qeverisë Rama për ndalimin në fund të këtij viti të automjeteve të prodhuara 10 vite më parë. Sipas Kokëdhimës ky akt është kundër shumicës së shqiptarëve të cilët nuk kanë mundësi për të blerë makina të shtrenjta. Sipas tij kjo gjë nuk bëhet për çështjen e ndotjes, sepse ai është një problem që në vendin tonë ka të bëjë direkt me cilësinë e keqe të karburanteve, por për të favorizuar koncesionarët e makinave.

Postimi i plotë i Koço Kokëdhimës

Bëhet fjalë për ndalimin në fund të këtij viti, të hyrjes së makinave të prodhuara mbi 10 vjet më parë. Vendimi në fjalë, përveçse ndihmon koncesionaret e importit të automjeteve, kujdeset që të mos prekë as koncesionin e dhënë në kohën e qeverisjes së PD-së për kontrollin teknik të automjeteve, as koncesionet e transportit urban, as mjetet e rënda të transportit që përdorin ndërtuesit e kullave, pra përjashton të gjithë ata që janë të lidhur me politikën. Vendimi godet vetëm qytetarët e thjeshtë. Partia “Zgjidhja” e kupton heshtjen e opozitës parlamentare, prandaj do të vazhdojë të zgjojë reagimin ndaj këtyre padrejtësive te njerëzit e thjeshtë, tek ata që nuk kanë të blejnë makina luksoze, as t’i marrin me qira tek koncesionarët dhe as mundësi që të shpenzojnë mbi 10 mijë euro për një makinë të vitit 2010.

Problemi kryesor i ndotjes së mjedisit në Shqipëri është cilësia e keqe e karburanteve. Dhe për këtë përgjegjës janë tregtarët dhe qeveria, e cila përmes koncesionit të markimit, koncensionit të laboratorëve dhe përmes inspektoratit shtetëror nuk garanton standardin e cilësisë. Faktori i dytë është gjendja teknike e makinave. Nëse një makinë nuk certifikohet nga koncesionari sipas normave të emisionit të gazrave, atëherë nuk ka rëndësi viti i prodhimit, ajo do duhet të detyrohet të përmirësojë parametrat teknikë, ose të shkojë për skrap. Këtu nuk hyn viti i prodhimit.

Vendimi, në mënyrë djallëzore, nuk bën diferencim mes makinave dizel dhe atyre me benzinë. Gjëndja teknike e mjetit, caktimi i normave të emisioneve dhe kontrolli i detyrueshëm duhet të përcaktojnë makinat që duhen ndaluar të qarkullojnë për të reduktuar ndotjen. Në vendet e Evropës, nga Bullgaria në Lituani, deri te Spanja dhe Italia, kushti i vetëm është gjendja teknike e makinës. Përdoruesi i një makine të vjetër mund të zgjedhë të pajiset me marmitë katalitike, në vend që të blejë makinë të re, siç kërkon ta detyrojë popullin qeveria.

Partia “Zgjidhja” mendon se po dëmtohet rëndë lëvizja e qytetarëve, kur nuk ka akoma një sistem të rregullt transporti urban dhe ndërqytetës rrugor dhe hekurudhor. Ky vendim i diktuar nga koncesionarët e makinave nuk merr parasysh faktin se Shqipëria është vendi me më pak makina për frymë në të gjithë rajonin. Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, në fund të vitit 2016, numri i automjeteve për 1.000 banorë në Shqipëri ishte 138.4. Para nesh janë të gjitha vendet e rajonit, Maqedonia ka mbi 190 automjete për 1.000 banorë. Sipas EUROSTAT (që i referohet vitit 2015) mesatarja e BE-së është 497 makina për 1.000 banorë. Nga ana tjetër, vendimi nuk parashikon asgjë mbi të ardhmen e zhvillimit të këtij sektori. Franca brenda viti 2022 ndalon makinat diesel dhe brenda 2028 ato me benzinë. Këtë plan e ka edhe Gjermania. Pra, ne detyrohemi të blejmë makinat e tyre të para disa vjetëve, kur në treg hidhen makinat elektrike. Së fundmi, vendime të tilla që prekin jetën e qytetarëve, nuk merren pa u lajmëruar dhe parapërgatitur qytetarët për disa vite rresht.