Basha: Xhisiela mohoi përdhunimin për të mbetur gjallë, ajo e di mirë kush janë kriminelët që po përballet

Kreu i opozitës Lulzim Basha, e ka cilësuar tronditëse intervistën e dhënë sot në mbrëmje në dy televizione të ndryshme nga ana e Xhisiela Maloku, e cila prej presionit dhe kërcënimeve ëhstë detyruar të thotë gënjeshtra.

Përmes një postimi në Facebook, Basha shkruan se Xhisiela e di shumë mirë se kë ka përballë, prandaj ajo sot mohoi torturën dhe përdhunimin për të jetuar.

Ja çfarë shkruan Basha:

Është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë!

Xhiseila e di shumë mirë se çfarë kriminelësh gjakftohtë dhe të pamëshirshëm janë ata, ai që e përdhunoi dhe ata që e mbrojnë përdhunuesin, ndaj ajo bëri sot atë që bën çdo njeri i tmerruar që kërkon të mbijetojë: mbrojti veten dhe familjen e saj.

Rrahman Rrahja është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë. Sot në Shqipëri nuk ka më as polici, as prokurori, as drejtësi as parlament. Parlamenti dhe drejtësia kanë rënë, dhe në vend të tyre sundon banda e Ramës, Rrahjave, Habilajve, Bajrëve, Shullazëve me shokë.