Flet oficeri Nuhu: Edi Rama më kërcënoi, Arta Marku të nisë hetimet ndaj tij

Nënoficeri i Policisë, Emiljano Nuhu në një intervistë për "360 Gradë" në Ora News, tha sonte se mbrojtja policore ndaj Xhisiela Malokut është fiktive, pasi në zonën ku ajo banon nuk ekziston policia.

“Mbrojtja policore që i jepet zonjës Maloku është vetëm për figurë dhe figuron vetëm në procesverbalet e Policisë. Në zonën ku banon, policia nuk funksionon, pasi policinë aty e drejtojnë vetëm bandat kriminale. Nuk ka fuqi policia të veprojë. Është një mënyrë për të mbajtur Xhisielën nën kontroll t'i mbahet deklarimeve në favor të djalit të deputetit”, u shpreh Nuhu.

Nënoficeri i Policisë, Emiljano Nuhu, kërkoi nga kryeprokurorja Arta Marku që të nisë hetimet ndaj kryeministrit Rama për kërcënim.

“Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku duhet të fillojë menjëherë hetimet për kryeministrin Edi Rama që më kanosi publikisht që unë të mos flasë më. Çfarë provash i duhen prokurorisë për të faktuar këtë kërcënim të Edi Ramës.

Nuk është kërcënim emocional, ky është kërcënim me të gjitha hallkat e shtetit për të më bërë mua që të mos flasë më në lidhje me skandalin.

Nuk kam asnjë interes përfitimi nga kjo situatë. Zonja Maloku i ka ndryshuar disa herë deklarimet dhe e mirëkuptojë se pse i ndryshon deklarimet”, u shpreh më tej Nuhu.