Rikuperohet nga dëmtimi, ylli i Lazios rikthehet në Përfaqësuese

Valon Berisha do të rikthehet pas një viti te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. 25-vjeçari do të grumbullohet për dy ndeshjet e ardhshme kundër Maltës dhe Ishujve Faroe.

Mesfushori i Lazios për herë të fundit ka veshur fanellën e Dardanëve më 13 nëntor 2017, kundër Letonisë, miqësore të cilën Kosova e kishte fituar 4-3 në Mitrovicë.

Që kur është emëruar trajneri i ri, Bernard Challandes, Berisha nuk është grumbulluar asnjëherë me Kosovën dhe gjithnjë arsyetim ka qenë dëmtimi, edhe sa ishte pjesë e Salzburgut, por edhe pasi kaloi në Itali, mungoi në dy ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve.

Sido që të jetë tani, futbollisti më i shtrenjtë i Kosovës është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe po pret të debutojë me Lazion.

Trajneri Simone Inzaghi e ka grumbulluar për dy ndeshjet e fundit me Udinesen dhe Romën, por në asnjërin duel nuk e inkuadroi në lojë.

Mbetet të shihet a do të debutojë këtë të enjte në Ligën e Europës me bardhekaltrit, që janë mysafirë të ekipit gjerman Eintracht Frankfurt.