SHBA dhe NATO, thirrje partive maqedonase: Shfrytëzoni këtë mundësi historike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni, në të cilën qytetarët i dhanë mbështetjen anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“SHBA mbështet fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë vendin e merituar në NATO dhe BE, që do të kontribuojë për stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Në periudhën që pason kur Kuvendi i Maqedonisë do të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese, u bëjmë thirrje liderëve që të ngriten mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhmen e ndritur për vendin, si anëtare me të drejta të plotë e institucioneve perëndimore”, thuhet në deklaratën e këtij Departamenti

Ndërkohë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur në një postim në Twitter edhe një herë mbështetjen e aleancës veri-atlantike për Maqedoninë duke theksuar se dyert e NATO-s mbeten të hapura ndërsa kërkoi angazhim nga liderët politikë për të arritur këtë qëllim.

“E mirëpres votën ‘për’, në Maqedoni. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike te angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të kapin këtë shans historik. Dera e NATO-a është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryhen”, ka theksuar Stoltenberg.