Referendumi, Zaev: Nuk dorëhiqem, e ka radhën parlamenti të votojë pro, integrimit në BE

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, në konferencën e fundit për shtyp pas referendumit, deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëhiqet por se vota pro e qytetarëve e obligon atë që procesin ta kalojë në procedurë parlamentare, e në rast se nuk siguron 2/3 e votave, nuk përjashton mundësin e zgjedhjeve të parakohshme, që sipas Zaev fundi i nëntorit do të ishte datë e përkryer.

“Parlamenti e ka radhën, dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë 2/3 e votave, atëherë alternativë mbeten zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Zaev.

Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre treguan se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO dhe se më në fund çdo qytetar sjelli vendimin e vet.

“Në referendumin kanë votuar më shumë se 650 mijë qytetarë, më shumë se 90 për qind votuan PRO dhe thanë se Maqedonia duhet ta pranoj marrëveshjen dhe të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së. Populli bëri përzgjedhje të rëndësishme. Tani, kur kemi shumicë të përcaktuar për Maqedoni evropiane, është koha deputetët ta ndjekin zërin e shumicë, me qëllim të përshpejtojmë proceset për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO.

Vota PRO është thirrje për të gjithë partitë politike t’i bashkëngjiten projektit. Të bashkohemi gjithë deputetët dhe të dërgojmë vendin aty ku e ka vendin në BE dhe NATO”, tha më tej Zaev. Zaev tha se në të kundërtën zgjidhja tjetër është që të shkohet në zgjedhje parlamentare.

“Nëse ka shumicë dy të treta, nëse nuk ka ka, atëherë kuvendi përgatitet për shpërbërëje dhe zgjedhje të parakohshme. Askush nuk tregoi alternative. Kemi shumicë të dukshme, mbi 91 për qind është, ato janë mbi 600 mijë qytetarë. Asnjëherë kështu vullnet të shprehur nuk është parë”, tha Zaev. Ai tha se nuk e ka ndërmend të jep dorëheqje por se e ka detyrim ta dërgoj vendin në BE dhe NATO. Ai ka falënderuar edhe një pjesë të funksionarëve të VMRO-së që kanë dalë në votime./INA