John Terry e mbyll si futbollist, rikthehet te Chelsea si trajner

Edhe pse dëshironte të vazhdonte karrierën e tij si lojtar, John Terry duket se do t’i japë fund futbollit dhe të marrë rolin e trajnerit për U-23 e Chelseat.

Terry ka mbetur pa skuadër që prej largimit nga Aston Villa në fund të sezonit të kaluar dhe duket se ish-kapiteni i Chelseat do ta vazhdojë karrierën si trajner i të rinjve.

Sporting Lisbona dhe Spartak Moscow kanë bërë ofertë për Terryn, mirëpo ky i fundit nuk pranoi që të luajë për njërin prej këtyre skuadrave.

“Për herë të fundit që kam folur me të, ai më ka thënë se dëshiron të luajë ende edhe për një sezon”, ka thënë Maurizio Sarri për Terryn.

“E gjitha varet nga ai. Nëse dëshiron të luajë edhe për një sezon, atëherë është në rregull nëse provon. Nëse dëshiron që të na ndihmojë neve, do të isha shumë, shumë i lumtur”, tha trajneri i Chelseat.