FOTO/ Aktorët e cirkut francez spektakël në mes të Tiranës

Sheshi ‘Skënderbej’ është mbushur dje nga aktorët të cilët kanë bërë akrobaci.

Qytetarët e shumtë dhe të vegjlit patën mundësi të ndiqnin një nga spektaklet më të njohur në botë, i njohur si Teatri i Rrugës ‘Mobile Homme’, i organizuar nga Ambasada franceze në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Aleancës Franceze.

Shfaqjen e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se kryeqyteti ka pasur aktivitete të shumta kulturore dhe shtoi se kjo traditë e bukur do të vijojë edhe më tej.

‘Jam shumë i lumtur që, në fakt, Tiranës nuk i kanë munguar aktivitetet gjatë gjithë verës, por sidomos edhe tani në vjeshtë. Dua të falënderoj shumë kolegët e Ambasadës franceze, ambasadoren Christine Vasak që bashkëpunoi për të na sjellë një shije të veçantë të Francës, diçka jo klasike sportive, por mbi të gjitha një dhuratë për fëmijët e Tiranës; besoj se për fëmijët e Tiranës më e mira është gjithmonë përpara’, tha ai.

Spektakli vijoi me shfaqje të ndryshme dhe nga trupa e Cirkut Kombëtar dhe Banda Frymore e Qytetit të Tiranës.