VIDEO/ Thaçi në veri të Kosovës, Vuçiç jep urdhrin: Ushtria në gatishmëri për luftë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës kanë shkuar në pjesën veriore të Kosovës. Vuçiq ka dhënë urdhër që ushtria e Serbisë të vihet në gjendje gatishmërie për luftë, shkruajnë mediat serbe.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha sot se e ka urdhëruar drejtorin e policisë serbe që të gjitha njësitet speciale të policisë të jenë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë, pas raportimeve të mediave serbe se forcat speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë në veri.

“Pas sulmit të shqiptarëve në veri të Kosovës dhe arrestimit të serbëve të cilët nuk kanë kryer asnjë vepër penale, kam urdhëruar drejtorin e policisë që të gjitha njësitet speciale të policisë të jenë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme.

Më herët, Radio Televizioni i Serbisë, bazuar në deklaratat e përfaqësuesve të pushtetit lokal, raportoi se forcat e njësive speciale të Policisë kanë hyrë në Qendrën për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit në Zubin Potok. “Pas sulmit të shqiptarëve në veri të Kosovës dhe arrestimit të serbëve të cilët nuk kanë kryer asnjë vepër penale, kam urdhëruar drejtorin e policisë që të gjitha njësitet speciale të policisë të jenë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme.

Kujtojmë, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këto momente është duke zhvilluar një vizitë në veri të Kosovës. Thaçi aktualisht është duke qëndruar në pikën kufitare me Serbinë, në Bërnjak. Pas Bërnjakut, lajmi.net merr vesh, se Presidenti do të vizitojë edhe liqenin e Ujmanit. Kjo është hera e parë që një President i vendit shkon në pjesën më veriore të Kosovës.