Sulmoi ish-ministrin Ilir Beqaj, policia e arreston. Ja emri

Policë të Komisariatit Nr.2 Tiranë arrestuan personin që sulmoi dje ish-ministrin Ilir Beqaj dhe theu xhamat e dy makinave luksoze. Ai quhet Edison Osmenllari, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Policia tha se dyshohet se është i sëmurë mendor.

Sipas Policisë, Osmenllari, në gjendje depresive, në bulevardin “Bajram Curri” ka thyer me sende të forta xhamat e dy mjeteve (mjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin D. G., dhe mjetit tip “Tuareg” me drejtues shtetasin A. D.), dhe gjatë ndërhyrjes ka kundërshtuar punonjësin e rendit publik.

Ky shtetas aktualisht ndodhet në Spitalin Nr.5 për mjekim dhe mbahet nën mbikqyrje nga shërbimet e Policisë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, parashikuar nga nenet 150 dhe 236/2 të Kodit Penal.