Dëshmia e oficerit, Kryemadhi: Shumë e rëndë, e bën të tmerrshme prania aty e deputetit socialist dhe kreut të bashkisë

Kryetarja e LSI-së Kryemadhi e ka cilësuar si shumë të rëndë dëshminë e oficerit të policisë Emiljan Nuhu.

Kryemadhi tha se më të tmerrshmë këtë ngjarje e bën fakti që oficerit Nuhu i është vendosur pistoleta në kokë, në praninë e një deputeti dhe Kryetarit të Bashkisë.

Vendi është kthyer në një bandë tha kryetarja e LSI-së e cila jo pa ironi ju drejtua shoqata të grave: “Mezi po pres të shoh ato personazhe publike që flasin nëpër televizione për dhunën ndaj grave, mezi po pres të shoh deklaratat e tyre në përkrahje të kësaj vajze, e cila është jetime, e ka të pamundur mbrojtjen e saj nga familjarët, që ka qenë viktime e dhunës apo edhe e epsheve të një djali socialisti më të përkëdhelur seç duhet”

Ja deklarata e plotë e Kryemadhit

 Besoj se e keni dëgjuar por sot ka ndodhur nja skandal tjetër i radhës. Një ish-oficer i Policisë Gjyqësore ka denoncuar se si ditën për diell, në mes të Komisariatit të Policisë në Fushë Krujë, i është vendosur pistoleta në kokë për të mos pranuar kallëzimin e një vajze të re, jetime, cila ishte dhunuar, rrëmbyer dhe përdhunuar nga djali i një deputeti.

Kjo është shumë e rëndë.

Mezi po pres të shoh këto shoqatat në mbrojtje të grave, të cilat bëjnë projekte pa fund dhe kanë marrë në zyrat e Komisionit Evropian apo të ambasadave të huaja, mezi po pres të shoh ato personazhe publike që flasin nëpër televizione për dhunën ndaj grave, mezi po pres të shoh deklaratat e tyre në përkrahje të kësaj vajze, e cila është jetime, e ka të pamundur mbrojtjen e saj nga familjarët, që ka qenë viktime e dhunës apo edhe e epsheve të një djali socialisti më të përkëdhelur seç duhet.

Dhe më e tmerrshmja është që pistoleta në kokë i vihet në prezencë të kryetarit të bashkisë dhe të një kolegut tonë deputet. Kjo nuk ka ku të rrijë më. Ky vend është kthyer në një bandë. Dhe njerëzit do të fillojnë të bëjnë vetëgjygjësi. Sot e bënë me një vajzë e cila nuk ka të atin, por nesër ato do të fillojnë ta bëjnë me fëmijët tanë.