Challandes po përmbush amanetin e Fadil Vokrrit

Legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, kur kishte vendosur të emëronte trajner te Kosovës zviceranin Bernard Challandes, kishte marrë mjaft kritika, me pretendimin se 67-vjeçari nuk ishte i duhuri për të qenë në krye të “Dardanëve”.

Faktori kryesor që e kishte shtyrë Vokrrin ta bënte këtë zgjedhje ka qenë se Challandes njeh mirë talentët shqiptarë që luajnë në Zvicër dhe se do të kishte sukses për t’i bindur të vishnin fanellën e Kosovës.

Dhe, tani, kur kanë kaluar gati 7 muaj nga emërimi i Challandes trajner i Kosovës, është parë qartë se 67-vjeçari që ka sjellë ndryshime pozitive në lojë dhe rezultate, dalëngadalë është duke kryer misionin të cilin ia kishte caktuar Vokrri.

Surpriza, që është rezervuar për grumbullimin e ardhshëm në Nations League për ndeshjet me Maltën dhe Ishujt Faroe, është mbrojtësi Mirlind Kryeziu.

21-vjeçari është pjesë e ekipit zviceran Zurich, ku po luan rregullisht me mjaft sukses. Ai luan si qendërmbrojtës dhe ka qenë pjesë e grupmoshave të Zvicrës nga U-16 deri tek U-20.

Përveç tij, për dy ndeshjet e ardhshme ka shumë mundësi të grumbullohet edhe portieri i Manchester Cityt, Arijanet Muriç, që nga shtatori ka vendosur të luajë për Kosovën.