VIDEO/ Fitore me polemika, shpërthen trajneri i Fiorentinës: A t’u them lojtarëve të lidhin duart?

Trajneri i Fiorentinës, Stefano Pioli, nuk e ka kapërdirë lehtë humbjen 2-1 përballë ish-skuadrës së tij, Interit. Shkaku është penalltia që u dha avantazhin zikaltërve në fundin e pjesës së parë. Gjyqtari, pasi konsultoi VAR, akordoi penallti për zikaltërit për një prekje të topit me dorë nga Vitor Hugo dhe për trajnerin, vendimi ishte absolutisht i gabuar.

 “Jam në vështirësi nga ta nis sot se jam i lumtur me paraqitjen, por kemi paguar shtrenjtë penaltinë, pasi goli i dytë ishte gabim i yni. Rasti i Vitor Hugo? Kur luan futboll përdoren duart, ndërsa diskutohet që topi ka prekur edhe pulpën e këmbës… Nëse prekja është thuajse e padallueshme a duhet t’u them lojtarëve të mi të lidhin duart pas shpine? Ai nuk bëri asgjë për të kërkuar kontaktin me topin, ndaj më vjen keq. Kemi luajtur një ndeshje të madhe ndaj një kundërshtari të madh dhe vendimet e gjyqtarit nuk ishin të tilla”, deklaroi Pioli pas ndeshjes.

Nga ana tjetër, trajneri i zikaltërve, Luçiano Spaleti, i cilësoi absurde këto pretendime. “Ajo është penallti, çfarë po shpikni kështu? Krahu është i hapur, Fiorentinës i them të lumtë, por ne e kemi fituar me meritë. Golat tonë kanë qenë të rregullt”, ishin fjalët e trajnerit pasi pa skuadrën e tij të merrte tri pikët sot dhe të ngjitej në vendin e 5 në Serinë A.