Serie A/ Bologna thellon krizën Romës, bind Lazio

Roma në krizë rezultatesh pas 5 javëve të para të Serisë A. Edhe pse e nisi mirë kampionatin me një fitore në transfertë me Torinon, verdhekuqtë nuk po ngrenë më kokë.

Skuadra e Di Francescos zhgënjeu në transfertë me Bolognan, ku u mposht pastër 2-0.

Në “Dall’Ara” për vendasit e gjetën rrjetën Mattielo në pjesën e parë dhe Santander në fraksionin e dytë, për të kthyer besimin te formacioni i Filippo Inzaghit, që e kishte nisur kampionatin me tri humbje dhe një barazim.

Lazio mori një fitore bindëse në “Olimpico” përballë Genoas me rezultatin e thellë 4-1. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e dyfishtë të bardhekaltërve, që kishin gjetur rrjetën me Caicedon dhe Immobilen.

Në fillim të pjesës së dytë goli i Pietek hapi përkohësisht ndeshjen, pasi në të 53-ën Milinkovic-Savic realizoi të tretin për vendasit. Në fund të ndeshjes Lazio mbylli llogaritë me golin e Immobiles (i dyti personal në këtë ndeshje).

Chievo vazhdon të vuajë në këtë fillim sezoni, teksa u mposht 0-2 nga Udinese në “Bentegodi”. Golat për friulanët i shënuan De Paul dhe Lasagna.