Hyka bëhet i paprekshëm, Lila fiton derbin shqiptar në Greqi

Derbi mes Andi Lilës dhe Migjen Bashës në greqi ka përfunduar me fitoren e PAS Giannina, që mundi 1-0 Arisin. Ndonëse ishte një ndeshje e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që luftuan deri në fund për të shënuar, ishte një episod ai që vendosi takimin. Një autogol i mbrojtësit Delizisis të Arisit në minutën e 65`, i dha fitoren skuadrës së PAS Giannina. Ndërkohë Aris humbi një penallti në pjesën e parë të takimit, kur rezultati ishte 0-0.

Në këtë takim u aktivizuan të dy mesfushorët e kombëtares, teksa Andi Lila e mbylli ndeshjen duke luajtur minuta të plota, Migjen Basha u zëvendësua 10 minuta para përfundimit të takimit. Sakaq Mërgim Mavraj nuk ishte i grumbulluar as për këtë takim me Arisin, duke  e shtyrë të paktën edhe për një javë debutimin e mbrojtësit kuqezi.

Futbollisti tjetër shqiptar, që luan për AEL Larisan në Greqi, Fatjon Andoni, është aktivizuar për 90 minuta në takimin që skuadra e tij e humbi kundër Atromitos me rezultatin 2-0. Ndërkohë futbollisti tjetër shqiptar Klodian Gjino e ndoqi nga bankina takimin, që skuadra e tij Smyrnis humbi 2-0 ndaj Asteras Tripolis, të shtunën pasdite në Superligën greke.

Në Rusi, Bekim Balaj ka luajtur si zëvendësues, në takimin që Ahkmat Grozny barazoi 1-1 ndaj Orenburg. Sulmuesi kuqezi zëvendësoi në minutën e 58` të takimin një tjetër shqiptar, Bernard Berishën, që luan me përfaqësuesen e Kosovës.

Mesfushori shqiptar, Kamer Qaka, që luan me Poli Iasi në kampionatin rumun, ka luajtur si titullar në sfidën kundër Dinamos së Bukureshtit. Takimi përfundoi me rezultatin 1-0, me skuadrën e mesfushorit kuqezi që merr tre pikë të rëndësishme në kampionat këtë javë. Sakaq në Turqi, Sokol Cikalleshi e ka ndjekur skuadrën e tij nga tribuna, pasi nuk është grumbulluar në takimin që Goztepe fitoi 2-1 ndaj Trabzonspor në transfertë.

Mesfushori kuqezi, Jahmir Hyka, që aktivizohet në kampionatin amerikan të futbollit, ka luajtur si titullar në ndeshjen që San Jose Earthquakes luajti dhe humbi kundër Los Angeles, me rezultatin 2-0 për këta të fundit. Hyka është zëvendësuar në minutën e 71` të takimit, kohë kur ishin shënuar të dy golat nga skuadra kundërshtare.

Titullar dhe i ndëshkuar me kartonë të verdhë. Ledian Memushaj është pikë e referimi për Pescaran në Serinë B. Edhe në ndeshjen e një dite më parë, ai luajti për 90` minuta në fitoren që skuadra e tij mori ndaj Foggias. Frederic Veseli luajti si titullar në ndeshjen e fundit me Empolin, teksa skuadra e tij u mund me rezultatin 3-1 nga Sassuolo.

Mbrojtësi i thirrur rishtaz në kombëtare, Besir Demiri, ishte titullar në ndeshjen që Mariupol, në Ukrainë, luajti dhe fitoi ndaj Oleksandriya në kampionat. Demiri gëzon formë të mirë dhe aktivizohet rregullisht në ligën ukrainase të futbollit.

Fitoren e Ostende ndaj Eupen, Sindrit Guri, e ka ndjekur nga stoli. Sulmuesi kuqezi që luan në Belgjikë nuk është aktivizuar këtë fundjavë me skuadrën e tij në kampionat. Ndoshta trajneri ka zgjedhur kështu, pasi në vijim skuadra e Ostende do të ketë dy sfida të rëndësishme, në Kupë dhe kampionat në fund të muajit kundër Standard Liege.