Zyrtarja e lartë e DASH, Millard, viziton Shtëpinë e Gjetheve

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Elisabeth Millard viziton muzeun Shtëpia e Gjetheve në Tiranë. Ajo shoqërohej nga z. Fabian Kati, me të cilin ajo bisedoi mbi të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe se si perceptohet ajo periudhë e errët në ditët e sotme. Millard po zhvillon një vizitë zyrtare treditore në vendin tonë.

Dje, Elisabeth Millard dhe e Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones u takuan me Aleancën e Grave Deputete të Parlamentit. Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni dhe deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka diskutuan me Znj. Millard mbi rëndësinë e përpjekjeve për fuqizimin e grave dhe barazisë gjinore pavarësisht përkatësisë politike. 

Millard mbërriti në 19 shtator në Tiranë dhe u takua me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Gjatë takimeve të saj, Millard vlerësoi miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe diskutoi mbi partneritetin strategjik midis dy vendeve tona.