Shkon për sfidën e Championsit, presidenti i PSG-së bën gjestin e madh në Liverpool

Liverpool dhe Paris Saint Germain do të jetë kryendeshja e mbrëmjes së sotme të Champions League. Një ndeshje ku do të duket se cili është sulmi më i mirë, Salah-Firmino-Mane apo Mbape-Cavani-Neymar.

Ndërkohë në Angli ka mbërritur ekipi francez dhe ajo që është vënë re ka qenë veprimi i presidentit të tyre, Naser Al Khelaifi.

Sheiku ka shkuar dhe ka bërë homazhe ditën e sotme për viktimat e tragjedisë së Hillsborough.

Ajo tragjedi ndodhi në vitin 1989 në sfidën gjysmëfinale të FA Cup mes Liverpool dhe Nottingham Forest.

Forcat e sigurisë ishin të përqendruara për të ruajtur rendin publik, por shefi i policisë së asaj kohe, David Duckenfield, nuk kishte eksperiencë në situata të tilla.

Shumë shpejt policia humbi kontrollin dhe turma kërkoi të hyjë në fushë. Duckenfield vendosi të hapë një nga kangjellat e stadiumit, një zgjedhje kjo që rezultoi shumë e gabuar.

Shumë tifozë hynë në fushën e lojës ku kishte edhe njerëz të tjerë për të shkaktuar edhe tragjedinë e madhe me 96 personat që humbën jetën të shtypur dhe të asfiksuar, teksa u plagosën 776 të tjerë.