Spal, surpriza e bukur e Serie A

Spal është surpriza më e bukur e këtij fillim sezoni në Serie A. Skuadra nga Ferrara mposhti 2-0 Atalantën në sfidën që mbylli javën e 4-t të Serie A, duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes në kuotën e 9 pikëve.

Vendosi gjithçka ish-i i madh i kësaj sfide, Andrea Petagna, i cili realizoi dy herë në minutat 50 dhe 56, duke fundosur ish-skuadrën e tij dhe duke i shkaktuar humbjen e dytë radhazi Atalantës në këtë sezon.

Në stol ishin dy shqiptarët e Atalantës. Etrit Berisha ka humbur tashmë vendin e titullarit te bergamaskët me Gollinin që preferohet më shumë nga trajneri Gasperini, por në sfidën ndaj Spal trajneri i skuadrës zikaltër nuk i dha asnjë minutë as Berat Gjimshitit.