Takimi me Parolin/ Presidenti Meta: Marrëveshja Kosovë-Serbi sjell stabilitet në rajon

Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Vatikan,  zhvilloi një takim me Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin. Në fokus të bisedës gjatë takimit Meta-Paroli ishin zhvillimit kryesore në rajon dhe në Ballkan.

Presidenti meta theksoi se Ballkani ka më shumë nevojë për dialog dhe bashkëpunim, ndërsa shtoi se mbështet dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Më tej kreu i shtetit shqiptar falenderoi Vatikanin për ndihmën vazhdueshme që i ka dhënë vendit tonë.

‘Rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim, mirëkuptim dhe harmoni. Mbështes vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjithë mirëpresin një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë . Zbatimi i një marrëveshjeje Kosovë-Serbi do të normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve. Marrëveshja Kosovë-Serbi hedh themelet e një paqeje, stabiliteti e sigurie në nivel rajonal. Marrëveshja Kosovë-Serbi ndihmon të ardhmen evropiane të tyre dhe të të gjithë rajonit. Të angazhohemi më shumë për forcimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar në rajon. I nderuar nga audienca e veçantë sot me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun. Shqipëria u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë. Vlerësoj ndihmesën e jashtëzakonshëm që Selia e Shenjtë i ka dhënë Kishës katolike dhe besimtarëve katolikë shqiptarë. Të privilegjuar që në themel të historisë së lashtë të marrëdhënieve tona qëndrojnë personalitete që u përkasin gjithë njerëzimit. Papa Klementi XI, Skënderbeu, Shën Tereza, Kardinali Ernest Troshani, 38 klerikët katolikë shqiptarë të lumturuar, pjesë e historisë sonë. Këto personalitete, dëshmi e pakundërshtueshme e përkatësisë dhe vokacionit evropian të popullit shqiptar. Bashkëjetesa e shkëlqyer fetare në Shqipëri, thesar kombëtar, shembull i vyer në nivel rajonal e global. Falënderoj Atin e Shenjtë për vlerësimin e veçantë ndaj këtij thesari kombëtar. Bota sot ka nevojë për mesazhe të tilla bashkëjetese dhe harmonie’, u shpreh Meta gjatë bisedës me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit.