Laçi i pathyeshëm, as Partizani nuk e mund dot

Laçi dhe Partizanit ndanë nga një pikë në këtë javë të katërt të Superiores, pa mundur të shënojnë në portat respektive, edhe pse rastet në të dyja portat nuk munguan.

Një barazim 0-0 që e mbush gotën gjysmë plot për të dy ekipet, që vazhdojnë serinë pozitive të rezultateve, edhe pse barazimi nuk është se i ndihmon shumë në renditjen e përgjithshme.

Pa u mbushur 5 minuta shënohet një moment i dyshimtë në zonën e kurbinasve. Mala i Partizanit rrëzohet në zonë, por për kryesorin Ardian Beqiri nuk kishim të bënim me 21-metërsh.

Laçi shfaqet më kërkues në minutat në vazhdim dhe në të 19-ën rrezikon me Xhixhën, goditja e të cilit grushtohet nga Alban Hoxha.

Mundësi shumë e mirë për Atandën në fund të pjesës së parë pas një këndoreje të të kuqve, por mbrojtësi nuk e shënjestron si duhet portën.

Hoxha reagon sërish në pozicion pas tentativës së Xhixhës në kohën shtesë.

Pjesa e dytë nis edhe më e luftuar, aq sa brenda pak minutash kryesori ndëshkon më kartonë të verdhë Regi Lushkjen, Bardhin dhe Nikola Eler.

Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me të dy ekipet që u pajtuan me barazimin, edhe pse nuk u mungoi dëshira për të fituar.