Zemra ‘e madhe’ e udhëheqësit: Kjo mësuese s’më donte kryetar, por e fala, nuk e bëra ’mish për top’...

Edi Rama sa më gjatë që qëndron në majë të pushtetit, aq më shumë duket se po i mbushet mendja, se nuk është thjesht nëpunësi më i lartë i shtetit në shërbim të qytetarëve, por pronar i Shqipërisë dhe jetës të të tjerëve.

Nëse ankohesh në FB-në e Ramës apo në takimet propagantistike të tij me popullin, edhe pse je rropatur më kot nëpër zyrat e shtetit, udhëheqësi me një të hapur të gojës mund të të japë zgjidhje në sekondë, për hallin që ke.

Nëse je i varfër me shtëpi pa çati, me fëmijë që nuk kanë as libra e as ushqim për të shuar urinë, të fanepset në derë Edi Rama dhe si me magji, të gjitha zgjidhen. Të mbaron punë Mbreti-Rama, edhe pse as komuna, as bashkia, as ministria e Çështjeve Sociale nuk të kishin vënë re, sa here që ankoheshe për gjendjen tënde të mjerë.

 Kështu u shfaq edhe sot Rama në takimin me mësuesit; udhëheqësi që e ka zemrën e madhe, që të fal dhe nuk të syrgjynos, edhe pse mund të kesh qenë kundër tij politikisht.

“Këtu ka qenë një mësuese që e njoh që kur isha kryetar i bashkisë, ajo nuk ka lënë gjë pa bërë që unë të mos fitoja zgjedhjet. E ka bërë si një qytetare që nuk ka dashur të më shikojë me sy me të drejtën e vet, ndërkohë që është një mësuese që nxënësve u jep atë që duhet dhe detyrën e saj si mësuese e kryen më së miri, si mund të biem në kurthin e hakmarrjes si ramë për cerek shekulli, duke i kthyer mësuesit në mish për topat e republikës”, deliroi  Rama përpara mësuesve, me zemërgjerësinë e tij “të madhe”.