‘Ja pse politikanët e Kosovës takojnë Berishë. Rama diplomaci aventureske’

I ftuar në studion e SYRI.net, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, aktualisht deputet i PD-së, Tritan Shehu është shprehur se ‘aventurat diplomatike të Edi Ramës bënë që Serbia të marrë rol udhëheqës në Ballkan’.

Sipas Shehut, politikanët e Kosovës vijnë e takojnë ish-kryeministrin Sali Berisha pasi ai vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në politikën rajonale.

Duke folur në lidhe me marrëdhëniet me Greqinë, Tritan Shehu është shprehur se çështja e detit duhet të shkojë në Gjykatën e Hagës.

‘Është normale që politikanët e Kosovës të zhvendosin takimet në zyrën e Berishës. Roli i tij është shumë i rëndësishëm në ecuritë mbarë shqiptare dhe stabilitetin në rajon.

Vitet e fundit, politikat aventureske të Ramës ja kanë kaluar këtë rol Serbisë, duke krijuar probleme me aleatët e mëdhenj, SHBA dhe disa vende të BE.

Dëshira e politikanëve kosovarë për tu këshilluar me Berishën është normale. Rasti i kundërvënies së Berishës për çështjen e kufijve, provoi sa të drejtë kishte ai për këtë debat.

Teori dhe strategji që bien ndesh me interesat tona është fatkeqësi të artikulohen nga shqiptarët.

Këto janë çështje kardinale që efektojnë Kosovën, Shqipërinë, dhe shumë partner ndërkombëtare. Është e papranueshme që Kryeministri Rama nuk shprehet.

PD është duke gjykuar edhe për hapat parlamentarë rreth kësaj çështje.

Çështja e marrëdhënieve me Greqinë, janë dëshmia më e qartë e aventurizmit politik të kësaj qeverie.

Kjo qeveri gjeti në 2013 një marrëdhënie të shkëlqyer me Greqinë, dhe I shkatërroi me qëllim këto edhe për llogari të vendeve të treta.

Dhe më pas kërkoi të korrigjojë këto marrëdhënie huri në bisedime si kapitullues. Kemi kërkuar që marrëveshja e detit ti shkojë Gjykatës së Hagës dhe ajo të japë konkluzionet e saj që duhen pranuar nga palët.

Po hymë në negociata, do të dalim shumë keq prej tyre’, është shprehur Tritan Shehu përballë gazetarit Alen Xhelili, në studion e SYRI.net.