Përse u fsheh për dy muaj vdekja në spital, e shoferit të organizatës që drejtohej nga oficerë policie?!

Edhe pse sipas burimeve mediatike kishte vdekur që në muajin Qershor, vetëm sot u bë e ditur nga policia se ka ndërruar jetë në spital 46- vjeçari Demo Progonati, i cili  u arrestua në datë 15 janar të vitit  2017, nën akuzën për trafik ndërkombëtar droge.

Progonati u arrestua në flagrancë nga policinë e shtetit në portin e Durrës, ndërkohë që po  transportonte një sasi rekord prej 2.5 tonësh kanabis, shkruan Syri. net.

Policia dhe prokuroria nuk japin shkakun e vdekjes në spital të njeriut që dinte shumë për një organizatë kriminale, e cila drejtohej e  koordinohej edhe nga oficerë të lartë të policisë së shtetit, por mjaftohet vetëm me njoftimin, se çështja ndaj tij është mbyllur pas vdekjes dhe pa dalë në gjyq.

Nëse hapim arkivën për çështjen e Demir Progonatit, kujtojmë për lexuesit se vetëm pak kohë pas  arrestimit të tij, në pranga ra edhe një drejtues i lartë i policisë, i cili sipas deklarimeve të Prokurorisë në atë kohë, rezultonte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ai ishte Festim Lelaj, i cili deri në momentin e arrestimit mbante detyrë Nënkomisarit në drejtorinë e Policisë në Fier. Organi i akuzës tha për Lelajn në atë periudhë, se ai dyshohej si përgjegjësi kryesor i trafikimit të 2.5 tonëve kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, të cilat po transportoheshin me kamion nga Demir Progonati.

Gjithashtu prokuroria tha se, Nënkomisar Lelaj, cilësohej prej tyre pas hetimeve, si organizatori i këtij rrjeti trafiku dhe si personi që siguronte lëndën narkotike, shkruan Syri. net

Ai u ndalua bashkë me Skënder Siceqan dhe Arbi Mustafën, ndërkohë që  Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri i kishte nisur hetimet për këtë organizatë, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shqiptari Dhimo Koraj.

Më herët, ishte arrestuar edhe i vdekuri sç fundmi “papritur” në QSUT në muajin Qershor, (por që si lajm u dha vetëm sot), Demo Progonati, së bashku me Euron Hotin, Malton Lleshin dhe Aurel Lazaj.

Nënkomisarit i Fierit, Festim Lelaj u akuza për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe për shpërdorim detyre.

I pari nga të arrestuarit e organizatës që doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda në atë kohë, ishte pikërisht Nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj. Por ai nuk ka pranuar të japë shpjegime mbi akuzat e ngritura nga organi i akuzës. Të njëjtën qëndrim kanë mbajtur edhe 6 të pandehurit e tjerë, të cilët nuk dhanë hollësira, përballë prokurorit të çështjes Dritan Prençi.

Ai u bë kështu, drejtuesi i katërt i lartë nga radhët e policisë ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur akuzë për bashkëpunim në trafikun e drogës. Në kërkim janë ende, edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, Sokol Bode ish-komandant i postës së kufirit në Dhërmi dhe Gjergj Kohila, ish-shef i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Vlorës.

Përpara se të merrte detyrën në Fier, Festim Lelaj, kishte punuar për një kohë të gjatë në Policinë Kufitare të Vlorës, e cila ishte edhe qendra e transportit ndërkombëtar të kanabisit dhe drogave të tjera më të forta.

Prokuroria zbuloi në atë kohë, se Lelaj,ka qënë pjesë e një zinxhiri policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli, polici i Vlorës i shpallur edhe ky në kërkim për “Trafik të narkotikëve”. Syri.net