UEFA projekton turneun e tretë, klubet shqiptare do kenë më shumë shanse

UEFA po bëhet gati të zyrtarizojë një turne të tretë. Përveç Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës, institucioni më i madh i futbollit në Europë po mendon të zhvillojë një kompeticion që do të ketë në plan të parë klubet e vendeve të vogla.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Juventusit, Andrea Agneli, pas mbledhjes së shoqatës të klubeve europiane.

“Jemi në pritje të aprovimit përfundimtar nga UEFA për kompeticionin e tretë, duke e çuar në 96 numrin e përgjithshëm të skuadrave pjesëmarrëse në Europë. E gjitha kjo duke nisur nga viti 2021-2022. Duhet bërë një vlerësim i kalendarit ndërkombëtar përpara e të miratohet modeli i ri pas vitit 2024”, u shpreh Agneli.

Ky turne pritet t’u japë mundësi vendeve të vogla të përfaqësohen në fazën finale të turneve europiane.

Kompeticionet e tjerë dominohen nga klubet e 5 kampionateve më të forta të Europës dhe ky organizim i tretë pritet të sjellë më shumë të ardhura për klubeve e vendeve të vogla.

Ndarja e turneve pritet të jetë: Liga e Kampionëve 32 skuadra, Europa Ligë nga 48 në 32 dhe kompeticioni i ri 32.