Salianji në Syri.net: Ja pse duhet bërë vetting për politikanët

I ftuar në studion e lajmeve të Syri.net, deputeti demokrat Ervin Salianji, ka folur për propozimin e bërë nga kreu i PD, Lulzim Basha, që të ketë vetting edhe për politikanët.

Sipas tij e vetmja mënyrë që politika të ndahet nga krimi bëhet vetëm me ligj.

‘Momentalisht krimi vendos për jetën e qytetarëve në Shqipëri. Sot nuk jemi në situatën ku Rama, Balla vendosin dhe janë kukulla të kriminelëve, por këta ja kanë lënë në dorë kriminelëve. Këta sot po përdoren nga kriminelët. Ju e patë se në Shkodër kryeministri dhe ministri nuk thanë asgjë, pasi këta kanë frikë. Dy të zhdukurit në Shkodër thuhet se janë ekzekutuar. Të gjithë e dinë në Shkodër, se kush e ka kryer këtë akt, por policia nuk reagon, pasi ka frikë. Ministri Xhafaj është një nga kryetarët e familjeve mafioze, atë të Xhafajve. Ju e dini që vëllai i tij është në burg. Deri sa ka vetting për policët dhe gjyqtarët, nuk ka sesi të mos ketë vetting për politikanët. Sot nuk ka cep të Shqipërisë që të mos jetë i mbjellë me drogë’, u shpreh Salianji.