Spektakli i Policisë në Shkodër, 5 reparte speciale për vetëm qindra fishekë

“’Forca e Ligjit’ në veprim, goditen disa pjesëtarë të grupeve kriminale në Shkodër”.

Kështu deklaronte dje Policia e Shtetit që në krye të komunikatës së saj për 4 arrestimet në Shkodër.

Por jo më larg se 24 orë, nga ky deklarim “pompoz”, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë sot masat e sigurisë për 4 të arrestuarit gjatë operacionit të dy ditëve më parë. Për Astmer Bilalin, Gjykata ka dhënë “arrest shtëpie”. Ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë Ilir Bajri, Emrah Plaku, dhe Erogen Brajoviç, gjyqtarja Irida Kacerja vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me 30 ditë.

Mësohet se afati 30 ditor është lënë derisa të vijnë në dispozicion të Gjykatës aktet e ekspertimit të prokurorisë për disa fishekë të gjetur gjatë operacionit. Akuzat ndaj tyre janë vetëm për disa fishekë, ndërsa armët nuk thuhet se ku janë gjetur dhe se kujt i përkasin.

Avokatët nga ana e tyre kanë hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë, duke u shprehur se s’ka prova për klientët e tyre.

Përpos kësaj panorame me pak fjali, për një ngjarje që për dy ditë “u ça” duke u publikuar në media të shkruara dhe elektronike më e zhurmshme ishte pretendimi i Policisë, për “një hetimi intensiv disamujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në qarkun Shkodër... (që) kanë arritur të ndalojnë në qytetin e Shkodrës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe me gjerë”.

Kjo zhurmë e cila sot doli se nuk ishte asgjë më shumë se propaganda e zakonshme e ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë për suksese imagjinare, nga ana tjetër zbuloi një kosto të lartë financiare, për përfshirjen në operacion të pesë reparteve të Policisë (Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, Trupat e posaçme operacionale në bashkëpunim me Organin e Prokurorisë), jo për arrestimin e katër personave, por për bllokimin e vetëm qindra fishekëve dhe e tre armëve.

“Veprimtaria hetimore disa mujore e Policisë se Shtetit e zhvilluar në këtë kuadër ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementeve kriminal si dhe mbledhjen e të dhënave në rruge operative me qëllim evidentimin sa më të plotë dhe sa më të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie”, deklaronte dje, midis të tjerave zyrtarisht Policia e Shtetit.

Por sot, para gjykatës së Shkodrës, u mësua se “veprimtaria hetimore”, “përgjimet” “ndjekjet dhe gjurmimet” dhe “të dhënat në rrugë operative”, nuk arrinin të jepnin shpjegime se kujt prej katër të arrestuarve i përkiste secila prej tre armëve dhe 800 fishekëve të sekuestruar.

Dhe natyrisht, ndërsa njëri nga të arrestuarit është kthyer sot në shtëpi, tre të tjerët do të presin edhe 30 ditë për të fituar lirinë e tyre, saktësisht deri në përfundimin e ekspertizës së Prokurorisë, për atë që pretendohej por që nuk ishte bërë nga Policia..., (jo vetëm) për armët dhe fishekët... SYRI.net