Thaçi takon Mogherini-n, Vuçiç ende s'po duket

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sapo ka takuar shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Ndërkohë, në Bruksel ende nuk është parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, raporton Kosovapress.

Mediat serbe thanë se Vuçiç ka mundësi ta anulojë takimin në Bruksel dhe vizitën në Kosovë, megjithatë, sot do të dihet e gjitha. Aty nuk janë parë as mediat serbe.

Megjithatë, mediat në Serbi kanë raportuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka mbërritur në Bruksel, ku, sipas informatave të Tanjugut, në orën 10:00, do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Federica Mogerini. Sipas rendit të ditës, pas takimeve të ndara me Mogerinin, do të ndodhë takimi trepalësh, me pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mediat në Serbi dje gjatë ditës kanë raportuar se Vuçiç po shqyrton mundësinë që të anulojë takimin me Thaçin në Bruksel, sikurse edhe vizitën e tij në Kosovë. Një tjetër lajm nga rts thoshte se Vuçiç do të shkojë në Bruksel për ta takuar vetëm Mogherinin.