‘Armëpushim’ te Danimarka, ‘yjet’ kthehen në kombëtare për ndeshjen me Uellsin

Konflikti ndërmjet Federatës Daneze dhe futbollistëve të përfaqësueses së Danimarkës ka marrë fund, të paktën përkohësisht, duke mundësuar rikthimin e kombëtares në fushë për ndeshjen e të dielës ndaj Uellsit për Ligën e Kombeve.

Christian Eriksen me kompani kanë dështuar në misionin për të gjetur një marrëveshje në lidhje me kushtet e të drejtave komerciale, por një komunikatë e përbashkët ka njoftuar një kompromis për pjesëmarrjen në ndeshjen e radhës.

Danimarka u detyrua të përfaqësohet me një ekip të modifikuar, të ndërtuar me futbollistë nga kategoritë inferiore dhe nga futbolli i sallave të mbyllura, kur të mërkurën u mund në miqësoren përballë Sllovakisë.

“Është mirë për përfaqësuesen dhe këdo në futbollin danez që ne mund të luajmë ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve me kombëtaren e vërtetë dhe të përqendrohemi edhe një herë në aspektin sportiv”, deklaroi kreu i Federatës Daneze, Jesper Moller.

Danimarka e renditur në vendin e nëntë në renditjen botërore të FIFA-s, arriti në të 16-tat në Kupën e Botës në “Rusi 2018”.

“Marrëveshja është një hap në drejtimin e duhur dhe futbollistët e përfaqësueses janë të lumtur që tani mund të fokusohen në ndeshjen e të dielës ndaj Uellsit”, deklaroi përfaqësuesi i sindikatës së futbollistëve, Mads Oland.