Challandes: Kosova është vend i veçantë, kemi ambicie në Ligën e Kombeve

Kosova është gati për rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve.

Këtë e ka përsëritur trajneri Bernard Challandes këtë të enjte në Baku, në konferencën për mediat për ndeshjen me Azerbajxhanin, që konsiderohet shumë e rëndësishme për ecurinë e Kosovës në këtë kompeticion, pikërisht në Grupin 3 të Ligës D.

Challandes e vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por ishte i bindur se skuadra e tij do të kthehet me rezultat pozitiv nga “Vendi i Zjarrit”.

“Përballemi me skuadrën më të fortë në grup, por nëse kundërshtarët tanë kanë ambicie për t’u kualifikuar, pse të mos kemi edhe ne. Jemi skuadër e re, por me lojtarë të mirë. Përmes lojës sonë do të përpiqemi të marrim rezultat pozitiv. Kosova është një vend i veçantë, ka shumë lojtarë cilësorë. Në ndeshjet e fundit e kemi përmirësuar shumë lojën tonë. Kam besim se do të marrim rezultat të mirë”, tha tekniku i kosovarëve.

I pyetur për mungesat e Besar Halimit dhe Valon Berishës në mesfushë, 67-vjeçari u shpreh optimist se lojtarët që do t’i zëvendësojnë do ta bëjnë më së miri punën e tyre.

“Mungesat e Besar Halimit dhe Valon Berishës ndikojnë, por ne kemi lojtarë të tjerë kreativë që do të na ndihmojnë. I njohim edhe cilësitë e kundërshtarit, por ne kemi besim se do të marrim rezultat të favorshëm”, tha Challandes.