Dy talentet që i kërkoi Shqipëria grumbullohen me Kosovën

Medjon Hoxha dhe Fuad Rahimi janë grumbulluar për herë të parë me Kosovën U-21. Të dy kanë treguar se kanë pranuar menjëherë ftesën e Kosovës. 

Hoxha luan për Kortrijkun në Belgjikë, ndërsa Rahimi për Wil në Zvicër. 

Për “KTV” ata kanë dhënë përshtypjet e para të grumbullimit, por edhe interesimin e Shqipërisë.

Medjon Hoxha thotë: “Kam zgjedhur vendin që e dua më shumë. Ka qenë shumë e lehtë kur ata më kanë thirrur. Edhe nëna më ka thënë që duhet të luash vetëm për Kosovën. Ka qenë e interesuar edhe Belgjika, por tashmë së fundmi edhe Shqipëria, por unë jam shqiptar i Kosovës dhe duhet të vija këtu. Kam luajtur me të gjitha kategoritë në Kortrijk dhe shpresoj që të shkoj te kombëtarja A”.

Ndërsa Fuad Rahimi deklaroi: “Më kanë pritur shumë mirë. Njoh 2-3 futbollistë dhe më folën fjalë të mira. Kam më shumë lidhje me Kosovën dhe janë ata që kanë treguar më shumë interes”.

Hoxha luan në pozicionin e mesfushorit të qendrës, ndërsa Rahimi si qendërmbrojtës. Ata presin të debutojnë kundër Irlandës.