Panucci: S’ka më eksperimente, ndaj Izraelit do luajnë lojtarët me eksperiencë

Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci, doli në konferencën për shtyp para gazetarëve ku foli për ndeshjen me Izraelin, e vlefshme për Ligën e Kombeve, e cila do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 20:45.

Jeni i qartë për formacionin, apo ende ka dilema?

Skuadra ndihet mirë, kemi punuar mirë. Jemi të gatshëm për të përballuar një ndeshje, ditën e nesërme.

Keni deklaruar që do të luajnë lojtarët me më shumë minuta. Keni thirrur edhe lojtarë që nuk kanë minuta. Janë zgjedhje teknike? Pse nuk janë Kaçe dhe Ramadani?

Natyrisht që për shkak të emergjencës, kam thirrur edhe lojtarë me pak minuta. Për sa i përket, Bashës, Lilës dhe Ramadanit, unë kam zgjedhur eksperiencën. Kaçe nuk ka luajtur shumë.

A janë Izraeli dhe Skocia ndeshjet që vendosin të ardhmen tuaj ?

Kjo nuk është një pyetje për mua, unë jam këtu për të përgatitur skuadrën. Është pyetje për presidentin Duka.

Keni thënë që do të shohim Shqipërinë e vërtetë…do ta shohim nesër?

Uroj që të kthehemi dhe të fitojmë. Jemi përgatitur shumë këtë.

Keni përdorur 8 formacione të ndryshme në 8 ndeshje, do shohim sërish një formacion ndryshe nesër?

Do të shohim nesër kush do të zbresë në fushë. Kemi punuar me lojtarët me eksperiencë. Nesër do të shohim se çfarë do të ndryshojë në formacionin e Shqipërisë.

Ndeshjet e fundit skuadra ka pësuar 7 gola, mendoni se është klima e duhur për një ndeshje të rëndësishme?

Në 2 ndeshjet e fundit kemi testuar lojtarë të rinj. Me rikthimin e titullarëve, do të kemi një komportim më të mirë në fushë.