VIDEO/ Ilir Demalia: Opozita të djegë mandatet! Europa po tallet me ne

Për analistin Ilir Demalia opozita duhet të marrë vendim ekstrem, deri në djegie të mandateve. Në një lidhje me skype për Ora News, Demalia u shpreh se opozita duhet t'i tregojë Europës se në Shqipëri gjendja nuk është normale. Ndërsa theksoi se Europa po tallet, pasi edhe personat e dërguar të saj janë të korruptuar.

Demalia:  Bojkoti i opozitës është normal, po nuk e di  ça do të realizojë ky bojkot. Mendoj që në këtë gjë jo normale dhe ekstrmisht të pashpresë nga rilindja, opozita duhet të marrë një veprim ekstrem. Veprim ekstrem nuk mendoj veprime dhune, jam kundër dhunës dhe sulmeve të institucioneve, por largimin e saj nga parlamenti, fundja fundit edhe djegien e mandateve që të japim edhe Europës, e cila për mendimin tim po tallet keq, sepse vetë njerëzit e dërguar të Europës janë të korruptuar me qeveritë, ndoshta dhe ndonjë ambasador.  Mendoj që duhet të japin një pamje që në Shqipëri nuk është më një gjendje normale. Nuk është një gjendje normale dhe për këtë ka përgjegjësi edhe opozita, prandaj duhet të jetë e sinqertë dhe të vijë me alternativa.

Por, Demalia tha se Shqipëria vuan nga një sjellje monopoliste dhe mendësi monopoliste e dyfishtë. Nga njëra anë propaganda e qeverisë dhe nga ana tjetër opozita, që siç thotë ai "është bërë bajat" me anti- komunizmin".

Demalia: Në Shqipëri pavarësisht demagogjisë dhe propagandës së dalë boje të atyre që janë në pushtet siç është tani rilindja që pretendojnë se po ndërtojnë demokraci dhe po sjellin prosperitet dhe opozitës që tashmë është bërë bajat me anti- komunizmin e dalë boje, de facto Shqipëria vuan nga një sjellje monopoliste dhe mendësi monopoliste e dyfishtë, kjo ka ardhru si rezultat i marrëveshjes së 2008, ku Rama dhe Berisha i morën frymën demokracisë dhe alternativave konkurrente të lira dhe vlerës. Kjo sjellje ka sjellë këtë situatë ku partitë politike janë gazerma të kryetarëve për të zgjedhurit e radhës dhe të zgjedhurit nuk janë më vlera, por ushtarë të kryetarit dhe si të tillë janë një pavlefshmëri vlerash dhe alternativash.

Në lidhje me situatën e rendit në vend, Demalia tha se pas 1997 kjo është situata me e rëndë dhe ku krimi ka fituar liri.