UEFA i jep rëndësi të veçantë sfidës Shqipëri-Izrael, do të gjykohet nga i famshmi Viktor Kassai

Më 7 shtator, në “Elbasan Arena”, ora 20:45, kombëtarja jonë kuqezi do të presë Izraelin, në ndeshjen e parë të saj në kuadrin e Ligës së Kombeve, Grupi G, ku bën pjesë edhe Skocia.

Gjithçka nis në barazpeshë totale, sa iu takon ballafaqimeve mes këtyre dy skuadrave, të cilat janë ndeshur 2 herë, në kuadrin e eliminatoreve të Botërorit të Rusisë.

Shqipëria humbi 3-0 në Elbasan, ndërsa ia doli të fitojë me të njëjtin rezultat në kthim, në “Sammy Ofer Stadium”. Pra, të dyja skuadrat kanë marrë nga një fitore, me golaverazhin 3-3.

Ndërkohë, UEFA ka zyrtarizuar edhe gjyqtarët e kësaj ndeshjeje.

Kryesor do të jetë një emër mjaft i njohur në vitet e kaluara, që ka gjykuar edhe finale kompeticionesh mjaft të rëndësishme.

Fjala është për hungarezin Viktor Kassai. Ai do të ndihmohet të japë drejtësi në “Elbasan Arena”, të premten, nga bashkatdhetarët e vet: Gyorgy Ring dhe Vencel Toth.

Po kështu, do të jenë edhe dy gjyqtarë ndihmës shtesë, nga Hungaria: Tamas Bognar dhe Sandor Szabo.