Thaçi i kap për hunde, Haradinajn dhe Limajn

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se janë kritikuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për ta ndalur Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në zbatimin e projektit që ai ka quajtur si të përbashkët me Vuçiçin për pazare me territorin e Kosovës.

Selmanaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook se pse duhet të votohet një ekip i qeverisë, kur këtë mandat qeveria e ka që nga rezuluta e Kuvendit të vitit 2011.

“Na kritikuan pse kemi thirrur seancën e jashtëzakonshme për ta ndalur Hashim Thaçin në zbatimin e projektit të përbashkët me Vuçiçin për pazare me territorin e Kosovës!  E çfarë bënë “ komandantat”? U mobilizuan natën dhe thirren seancë tjetër të jashtëzakonshme... Pse? Për çka? Pse u dashka te votohet një ekip i qeverisë, kur këtë mandat qeveria e ka që nga rezoluta e Kuvendit e vitit 2011”, ka shkruar Selmanaj.

Ai ka theksuar se Thaçi është dirigjent i gjithë kësaj situate, duke i tërhequr drejt vetes sipas nevojave të tij edhe Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.

“Përgjigja është diku tjetër, më saktë në zyrën e Presidentit... Ai është dirigjenti i gjithë kësaj situate... I kap për hunde dhe i tërheq Limajn dhe Ramushin sipas nevojave të tij.  Ai ka zor të madh sepse pas çdo takimi me Limajn e Ramushin ai duhet ta thërrasë për t'i raportuar, djalit joproblematik - mikut të tij Aleksandrit”, ka thënë Selmanaj.