Kërcënimi i gazetarit në Laç, policia nuk gjen as pistoletën e as mesazhet e shefit

Policia e Kurbini ka informuar mediat sot lidhur me situatën e krijuar dje në Laç, pas shpërthimit të tritolit në lokalit e Llesh Burakut.

Para ardhjes së Policisë, në vendin e ngjarjes kanë qënë gazetarët dhe njeri prej tyre, Julian Shota, u kërcënua me armë në kokë nga pronari që të mos filmonte. Për këtë ngjarje, gazetari vuri në dijeni shefin e komisariatit me anë të mesazhi por përgjigja që ai pretendoi se mori ishte "Jam me pushime. të fala."

Pas publikimit të këtij reagimi nga ana e Shefit, Policia e Kurbinit u detyrua të sqarojë sot:

"Në lidhje me një lajm të publikuar në median elektronike ku shtetasi J.Sh. me profesion gazetar, është kanosur gjatë kryerjes së detyrës si dhe i ka dërguar mesazh shefit të Komisariatit të Policisë Kurbin ku i ka kërkuar ndihmë dhe ky i fundit nuk i është përgjigjur, ju sqarojmë se :

Nga specialistët e Seksionit për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale në Komisariatin e Policisë Kurbin, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit Ll.B. 53 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale " Kanosje për shkak të deryres" parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Më datë 03.09.2018, rreth orës 15:00, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasi J.Sh. i cili ka kallzuar se rreth orës 07:00, ka shkuar për të pasqyruar ngjarjen e ndodhur në lokalin ku i është vendosur lëndë eksplozive, dhe është kërcënuar me armë zjarri nga pronari u lokalit, për moslejimin e filmimit të vendngjarjes.

Me marrjen e informacionit nga njoftimi i shtetasit J.Sh.  tek Policia e Lezhës rreth orës 09:00, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin,  për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke kryer të gjitha veprimet hetimore konform rregullave.

Nga kontrollet e ushtruara në ambientet në pronësi të shtetasit Ll.B., nuk është konstatuar asnjë armë zjarri apo send tjetër i kundraligjshëm.

Gjithashtu, në lidhje me sms-në e publikuar të dërguar nga shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasit J.Sh., sqarojmë se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi mesazhi që shtetasi J.Sh. pretendon se i ka dërguar shefit të Komisariatit Kurbin ku i shpjegon ngjarjen dhe i kërkon ndihmë, nga verifikimet hetimore ka rezultuar se nuk i është dërguar fare shefit të Komisariatit Kurbin, duke mos u vënë në dijeni ai se çfarë po ndodhte.

Policia e Kurbinit, është e gatshme në çdo kohë  të trajtojë me seriozitet dhe transparencë të plotë çdo situatë të çdo shtetasi.